Eurodeputetët kërkuan të enjten që BE-ja të miratojë një standard universal të mbushësve për celularët në të gjithë bllokun, duke vendosur një përplasje me Apple i cili e kundërshton këtë.

Një rezolutë jo detyruese votoi 582 në favor dhe 40 kundër për miratimin e një mbushësi të përbashkët për telefonat mobil dhe pajisjeve e tjera, transmeton Telegrafi.

“Shfrytëzimi i tepërt i mbushësve shkakton shpenzime të tepërta dhe bezdi për konsumatorët, po ashtu mbeturina për mjedisin”, thuhet në tekst.


Prandaj, ekziston një “nevojë urgjente për veprim rregullator të BE-së”, duke bërë thirrje për masa “deri në korrik të vitit 2020”.

Ideja për një mbushës të vetëm u lëshua në vitin 2009 nga Komisioni Evropian dhe u prit me hezitim nga industria e telefonisë celulare që nga fillimi.

Numri i llojeve të mbushësve megjithatë ka rënë ndjeshëm në 10 vitet e kaluara, nga 30 në tre sot. Komisioneri Evropian Maros Sefcovic premtoi se Komisioni do të trajtojë çështjen përmes “një kombinimi të opsioneve të politikave përfshirë masat rregullatore”.

Por gjiganti i telefonit celular Apple është kundër idesë së një mbushësi universal.


Komisioni i BE-së do të botojë “në ditët e ardhshme” një “studim për të vlerësuar situatën”, tha një zëdhënës.

Sipas eurodeputetëve, rreth 50 milionë ton mbeturina elektronike prodhohen çdo vit në të gjithë botën – mesatarisht më shumë se 6 kg për person.

Në Evropë, mbeturinat elektronike në vitin 2016 arritën në 12.3 milionë ton ose 16.6 kg mesatarisht për person.