Enver Sekiraqa, i cili akuzohet për nxitje në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë, në shqyrtimin gjyqësor të mbajtur të enjten, ka thënë se para se të ngrihej aktakuza kundër tij, atij ia kishin kërkuar një milion euro.

Një deklarim të tillë Sekiraqa, e ka bërë gjatë vazhdimit të mbrojtjes së tij, në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pasi ky rast është kthyer në rigjykim, raporton “Betimi për Drejtësi.

Sipas tij, ky është një rast politik, për shkak se e kishin thirrur për t’iu ndihmuar me vota, e sipas tij, nëse ai do t’u kishte ndihmuar, nuk do të kishte pasur aktakuzë kundër tij.

“Unë kam me thonë, kjo është veç rast politik. Më kanë thirr të gjithë me ju ndihmu në vota, s’kam shku mu ungj me ta, t’isha ulë me ta, unë edhe ti nuk ishim njoftu kurrë. As me ketë prokuror, kurrë se kisha pas një akuzë të tillë, as ti gjyqtar nuk m’kishe njoft. Krejt politika është mas kësaj pune. Një milion euro mi kanë lyp pa ma ngrit akuzën. Masi ma kanë ngrit apet mi kanë lyp, tash kanë ra në 300–400 mijë euro, e unë se kam nijet mi dhon as 30 euro për këtë punë. Provat janë, ndaqit mi pa, ja kam dhon edhe prokurorit paraprak. Krejt çka kam thonë krejt janë vërtetu pikë për pikë, shumica me dokumente, tjerat me seanca tjera”, ka thënë Sekiraqa.

Në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Shashivar Hoti se çfarë mendon ai për vrasjen e Triumf Rizës, i akuzuari ka thënë se nuk e dinte se si kishte ardhur deri tek vrasja e tij.

“Unë si ka ardh deri te vrasja e Triumf Rizës nuk e di, veç njo jam interesu e kam marr saktë që ka pas problem te marketi i avokatit Mexhit Syla, ma kanë konfirmu përmes familjarëve, se e ka rreh Arben Berishën, ata se dijshin dhe unë e kam kuptu prej atyhit se kjo është e vërtetë. Kurrë në jetën time, me Arben Berishën, as me Rrahim Avdullahun, as me këta tjerët që janë arrestu, Fitim Avdiun, me ta s’kam fol për Triumf Rizën, s’kam pas çka flas për të, s’kam pas kurrfarë pune me të”, ka thënë Sekiraqa.

Sipas tij, nuk qëndron as pretendimi i prokurorisë se ai ishte kapur me tani të ndjerin Riza për shkak të Adelina Ismajlit.

“Kurrfarë motivi në jetën tem se kam pas ato për me rreh as për me vra. Në Sëiss Cassino e ka nis ai, Arben Selmani atë problem, Triumfi m’ka ngreh ka shanki, veç çka m’ka pshtu në atë moment, mandej çka kanë thonë tjerët në prokurori, se di, se m’kanë ra n’krye me revole, kam mujt me thonë se ka marr pjesë edhe ky. Problemin e ka nis Arben Selmani, ai m’ka qu njerëz”, ka thënë i akuzuari Sekiraqa.

Ai tutje ka thënë se asnjëherë nuk kishte pasur asnjë kontakt qoftë për punë, apo miqësor me të dënuarin për vrasjen e Rizës, Arben Berisha.

“Kurrë në jetë s’kam pas kurrfarë pune, kurrfarë biznisi me Arben Berishen, kurrfarë bisede as të hapun as të fshehtë, kurrë në jetë as edhe një provë sot e 100 vjet s’ka me dal që Enveri i ka thonë atij dil boni dikujt keq, aq më larg të ndjerit Triumf Riza, kurrë në jetë s’kam pas bisedë kurrfarë, t’kisha pas ni motiv me vra dikon ish kon dashtë me vra Besnik Hasanin që ma ka montu procesin, që ma ka prish lokalin, që na ka bo dëme tjera”, ka thënë Sekiraqa.

Ndryshe, Sekiraqa në këtë seancë ka treguar se si e kishte kaluar ditën e 30 gusht të vitit 2007, ditën e vrasjes së Triumf Rizës.

Sipas tij, ai ka kaluar një ditë të zakonshme, ndërsa në mbrëmje kur kishte shkuar në shtëpi kishte parë dyer e xhama të thyer nga policia.

“Pastaj më vonë jam kthy te shtëpia, kur kanë shku policia, dhe i pyeta të shpijes çka u bo, ata ishin bo merak, ishin të shqetësum, i pash dyert e thyme nëpër dhoma, rroba e gjësende nëpër tokë, babën e kishin rreh dhe nënën e kishin kërcënu. Ata s’kishin thonë se pse kishin shku, veç kishin rreh, kishin thy, kishin thonë nënës që Enverin se ki, veç i kanë thonë që këna me vra Enverin”, ka shtuar ai.

Prokurori i PSRK-së Haki Gecaj, ka thënë se nuk kishte pyetje tjera që t’i parashtrojë të akuzuarit Sekiraqa, pasi ky i fundit në seancën e mbajtur më 11 korrik 2019, kishte qëndruar pranë deklarimeve të dhëna para trupit gjykues të EULEX-it.

“Unë e kam dhënë në tërësi, në Dubravë në 303 pyetje, qoftë edhe me naj kafiq çka kam fol, edhe me naj çajtore çka kam fol, kurrgjo s’ka me ndryshu hiq, asnjë germë”, ka thënë Sekiraqa.

Prokurori Gecaj, ka kërkuar nga ai të dijë versionin e rastit “Sëiss Casino”, në të cilin lokal, në dhjetorin e vitit 2006, kishte ndodhur një incident në mes Enver Sekiraqës dhe të ndjerit Triumf Riza, por i akuzuari nuk është përgjigjur në asnjë pyetje të këtij rasti, me arsyetimin se nuk është duke u akuzuar për atë çështje.

“Mundemi me fol për akuzën që më vihet në barrë, sa i përket rastit të Sëiss Casinos, unë përgjigjem vetëm për rastin konkret për të cilin akuzohem, ndërsa për rastet të cilat nuk janë të ndërlidhura në këtë aktakuzë, dhe kanë numër tjetër, unë nuk mund të përgjigjem, ajo është tjetër gjyq, tjetër lëndë, tjetër numër, çka është deshtë i kam thonë. Jam përgjegj”, ka deklaruar Sekiraqa.

Edhe pse prokurori ka vlerësuar se i akuzuari, në procesin e parë gjyqësor është përgjigjur edhe për atë kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Shashivar Hoti, theksoi se në këtë rast bëhet fjalë vetëm për 30 gushtin e vitit 2007, ditën kur është vrarë Triumf Riza, me arsyetimin se ligji dhe Kushtetuta i lejon të akuzuarit që të mos përgjigjet para gjykatës.

Ai tha se atë natë kishte qëndruar tek motra e tij dy ditë, e më pas kishte shkuar në shtëpi kohë pas kohe.

“Ata e kishin arrestu Naserin, kishin thy krejt, i kishin arrestu do punëtor, mandej kanë shku këta në vizitë te Naseri, mandej ju ka tregu ai se qysh janë sjell keq me ta e i kanë pa me qivita. Ai lokali tani ka qenë i uzurpuar nja 20 ditë tuj e rujt, ka nejt policia në to, ditën e parë që u hek Policia prej lokali e kanë gju bombën”, ka deklaruar i akuzuari.

Pas kësaj, ai tha se kishte qëndruar nëpër shoqëri, në “Kodrën e Trimave”, për rreth tre muaj, e pastaj kishte shkuar në Çeki, pasi i kishte pasur dokumentet e këtij shteti.

Në pyetjen e gjykatësi Hoti se cila kishte qenë arsyeja e kësaj fshehjeje, një ndër arsyet ka përmendur vdekjen e disa personave.

“Kur ta qesin bombën, t’i mbysin 4-5 qytetarë, janë lënduar 15 janë plagosur, është turp me i përmend lokalet që janë shkatërru, kur të vdesin njerëzit ato nuk diskutohen, për Ramazan i kanë vra tre vetë, i kanë plagos 18. Na i kem do miq që m’kanë tregu që janë tu të ndjek me të vra e jo me të arrestu. Jo veç fjalët e nonës, por edhe shkaku i bombës, se ata e argumentum çka i thanë nënës sime, e qitën bombën, prej këtu shkuan në Kaçanik i vrajtën tre e i plagosen edhe dy”, ka thënë tutje Sekiraqa.

Për Arben Berishën tha se kishte dijeni për problemin që kishte pasur me të ndjerin Triumf Riza, por tha se asnjëherë në jetë nuk kishte pirë kafe me të, e as nuk kishte pasur ndonjë thirrje telefonike, e që as numrin e tij nuk e kishte pasur.

Ndryshe, në këtë seancë avokati Bostjan Penko për shkak se i akuzuari që shtatë vite gjendet në paraburgim, i ka propozuar gjykatës që atij t’i ndërpritet kjo masë, dhe në vend të paraburgimit t’i caktohet masa e arrestit shtëpiak.

Ai tha se vet i akuzuari ishte lajmëruar në EULEX, në vitin 2012, kur i ishte garantuar siguria, dhe se deri në atë kohë, ai kishte pasur arsye të mira që të besojë se jeta e tij kishte qenë në rrezik.

Sipas tij, nuk ekzistonte rreziku i ikjes sepse vet i akuzuari ishte lajmëruar kur i ishte garantuar siguria, nuk ekzistonte rreziku i përsëritjes së veprës penale, nuk ekzistonte as rreziku i ndikimit në dëshmitarë.

Këtë propozim, e ka kundërshtuar prokurori Gecaj, pasi sipas tij, ekzistonte dyshimi se i akuzuari e kishte kryer veprën penale, dhe se ende nuk kishin pushuar arsyet ligjore për vazhdimin e paraburgimit.

Mirëpo, trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Shashivar Hoti, e ka refuzuar kërkesën për ndërprerjen e paraburgimit.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 4 shtator 2019, në ora 09:00.

Ndryshe, Enver Sekiraqa ishte dënuar më 17 maj 2016 nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë për dy vepra penale për “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe për veprën “detyrimi” me dënim unik prej 37 viteve burgim, kurse ishte liruar për veprën penale “dhunimi”.

Gjykata e Apelit, më 24 tetor të vitit të kaluar, kishte mbajtur një seancë dëgjimore lidhur me caktimin e masës së sigurisë ndaj Enver Sekiraqës, pasi e njëjta gjykatë më 19 tetor, në orët e mbrëmjes, e kishte liruar nga paraburgimi atë dhe ndaj tij kishte shqiptuar masën e arrestit shtëpiak.

Për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij, kishin votuar tri gjykatëset e Apelit, dy nga radhët e EULEX-it, Elka Ermenkova dhe Anna Adamska-Gallant, si dhe gjykatësja vendore Mejreme Memaj.

Por, kjo gjykatë, pas vetëm dy ditësh, kishte vendosur që sërish ta rikthej në paraburgim, Enver Sekiraqen dhe për këtë, shkak ishte bërë një fotografi e publikuar në rrjetin social, nga miqtë që e kishin vizituar atë pas lirimit nga paraburgimi.

Me këtë, gjykata e shkallës së dytë, kishte vlerësuar se Enver Sekiraqa ka shkelur masën e arrestit shtëpiak, që i ishte caktuar.

Ndryshe, në seancën e Gjykatës së Apelit, e cila ishte mbajtur me 6 shtator të vitit të kaluar, ku ishin shqyrtuar pretendimet ankimore të palëve, Enver Sekiraqa, kishte kërkuar që të lirohet nga paraburgimi dhe të mbrohet në liri.

E si garancion për lirimin e tij, Sekiraqa kishte ofruar pasurinë e tij, përfshirë shtëpinë, lokalin dhe një shumë parash, të cilat tha se do t’i mblidhte me ndihmën e familjes.

Prokurorja ndërkombëtare e Prokurorisë së Apelit, Anca Stan, në seancën e 6 shtatorit të kolegjit të Apelit, kishte deklaruar se përveç pretendimeve në ankesë nuk kishte çfarë të shtonte tjetër, por e njëjta kishte thënë se kërkesa e palës mbrojtëse që të përjashtohen disa nga provat kruciale janë të gabuara.

Në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqes për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.

Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Sëiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.

Incidenti në “Sëiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.

Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa me 37 vjet. /Betimipërdrejtësi