Enis Zabergja, pavarësisht prej moshës që ka, ka shprehur optimizëm se golat që do t’i shënojnë në këtë kampionat do të jenë të shumtë.

Skuadra e Llapit e nisi kampionatin e ri në IPKO Superligën e Kosovës me fitore dhe më meritori për këtë ishte Enis Zabergja, i cili i shënoi dy prej katër golave në ndeshjen ndaj Vushtrrisë (4-1). Llapi ishte duke humbur 0-1, por dy golat e sulmuesit Zabergja i dhanë epërsinë skuadrës që drejtohet nga Tahir Batatina, kurse më pas shënuan edhe dy gola të tjerë.

Enis Zabergja për “Epokën e re” është shprehur i lumtur që ka arritur ta ndihmojë skuadrën në suksesin e parë të edicionit 2019/2020. “Jam i lumtur që arrita ta ndihmoj skuadrën ta shënojë fitoren e parë në kampionat. Kemi një grup të mirë të lojtarëve dhe në vazhdimësi mund të marrim rezultat pozitiv, por edhe për mua është më e lehtë të paraqitem mirë dhe të shënoj gola”, ka deklaruar Zabergja.

Sulmuesi këmbëshpejtë, pas një kampionati të kaluar në Ligën e Parë, është rikthyer fuqishëm në Superligë, duke shënuar dy gola vetëm në një ndeshje. Zabergja ka konfirmuar se është përgatitur maksimalisht dhe forma e tij nuk është befasi, kurse në lidhje me golat që do të shënojë është shprehur i matur, duke thënë se primare i ka rezultatet e klubit. “Normalisht se jam shumë i lumtur, por tash jam mirë fizikisht dhe kur nuk më mungon përgatitja fizike, shënimin e golave e kam të lehtë. Nuk kam ndonjë synim personal, pasi në rend të parë janë rezultatet e klubit. Do të përpiqem që në çdo ndeshje ta jap kontributin për t’i arritur objektivat e klubit”, ka thënë Zabergja, i cili së bashku me Kastriot Rexhën e Feronikelit dhe Adrian Mujën e Trepçës ’89 kanë realizuar nga dy gola në xhiron e parë.

34-vjeçari Enis Zabergja është një nga lojtarët më të mirë në vitet e fundit në futbollin e Kosovës, kurse më herët ka luajtur edhe për Trepçën, Hysin, Hajvalinë, 2 Korrikun, KEK-un, Drenicën. Ka qenë pjesë edhe e përfaqësueses para se futbolli i Kosovës të pranohet në UEFA dhe FIFA.