“Ëndrra e madhe” për tri dekadat e Kosovës

Ngjarjet që shënuan 27 vitet e rrugëtimit të Kosovës bëhen bashkë në librin “Ëndrra e madhe” të autorit Gani Mehmetaj.

Kronika hapet me kërcënimin që ua bëri politikanëve të Kosovës në Prishtinë ish-lideri jugosllav Josip Broz Tito në vizitën e tij të fundit në Kosovë më 1979. Asokohe, sipas asaj që shkruan Mehmetaj në “Ëndrra e madhe”, Titoja kishte paralajmëruar për masat që do të merreshin ndaj atyre që “po bëjnë presion kundër serbëve”.

Në promovimin e librit të premten në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, referuesit kanë thënë se autori e vazhdon rrëfimin e tij për ngjarjet në Kosovë me arrestimet e vitit 1979 e demonstratat e vitit 1981, shkraun sot Koha Ditore. Ngjarjet dramatike në Kosovë, masakra e Reçakut, bombardimet e NATO-s, çlirimi i vendit janë ndër pjesët që Mehmetaj u ka kushtuar rëndësi të madhe. Në librin e shkruar në formë ditari zënë vend edhe vrasjet politike e krimi i organizuar që autori i cilëson “shëmti të pasluftës”.

Recensenti Femi Cakolli ka thënë se “Ëndrra…” është një prozë gazetarie e kronikë për disa nga ngjarjet dhe zhvillimet kryesore politike, diplomatike, sociale, kulturore, fetare e mediale që kanë ndodhur mes shqiptarëve me fokus të veçantë në Kosovë, prej vitit 1979 e deri në vitin 2006 kur ndërroi jetë presidenti Ibrahim Rugova.

“Është një kronikë dokumentuese por po ashtu është edhe një kronikë e interpretuar dhe e angazhuar. Ky tekst publicistik është ndërtuar mbi formën e ditarit, mbi skicimet e ditarit të autorit. Ky ditar, lexuesit i ofrohet jo si një ekstrakt por si një ditar i rirrëfyer”, ka thënë Cakolli. Sipas tij, autori Mehmetaj shkruan për atë se si administrata e UNMIK-ut për ta zbehur ndikimin e liderit bëri disa ligje sipas të cilave presidenti nuk mund të zgjidhej nga populli por me votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Sipas tij, libri rrëfen për administratën që nuk pëlqente identifikimin e rrënjëve, sepse kjo do i dëmtonte minoritetet.

“Nga droja e nacionalizmit përpiqeshin ta shpërndanin pushtetin në disa grupe që do t’i kontrollonte me dosje, joshje e premtime. Serbia e Turqia paraqitën ankesa zyrtare për, sipas tyre, nacionalizmin shqiptar në rritje”, ka cituar Cakolli nga “Ëndrra…”. Ai ka thënë se libri pasqyron se si nacionalizmi shqiptar, sipas Serbisë dhe Turqisë, i trajtonte keq minoritetet.

“Natyrisht që për ta penguar bashkëveprimin shqiptar u dynden në Kosovë mizori oficerësh zbulimi nën petkun e humanitarëve apo kinse hoxhallarëve. Turqia dhe shtetet arabe ndërtuan qindra xhami për shpëlarjen e trurit”, ka cituar ai nga libri.

Në përurim është lexuar edhe recensioni i Behar Zogianit, i cili ka shkruar se “Ëndrra e madhe” nuk është vetëm shënim i ngjarjeve dhe i historisë më të re, por edhe një shtjellim me shpjegimin e rrethanave parësore, dytësore e tretësore në secilën ngjarje të kohës.

“Ganiu në këtë libër sjell pjesëza të jetës së shqiptarëve. ‘Ëndrra e madhe‘ i ka në vete shumicën e personaliteteve të kohës”, ka shkruar Zogiani. Sipas tij, libri nuk e lëshon lexuesin deri në rreshtin e fundit.

“Përmes librit, sheh ngjarjet demonstratat, arrestimet, trishtimet, tragjeditë, luftën, ngadhënjimin, përparimin, shfryrjen ndaj djallit e ballafaqimet me armiqtë e kohës”, ka shkruar Zogiani.

Librin e ka cilësuar si një kronikë të historisë edhe gazetari Idriz Morina, e vetë autori Gani Mehmetaj, ka kërkuar që pas përurimit të hapet debat rreth asaj që pasqyrohet në veprën e tij, por askush s’e ka marrë fjalën.