Zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Nazmi Elezi, në një intervistë për KTV të realizuar në qytetin e Podujevës, ka folur për projektet të cilat priten të realizohen në këtë Komunë, njofton Llapi.info.

Zëdhënësi Elezi ka thënë se edhe për këtë vit pjesa më e madhe e buxhetit i paraprinë ndërtimit të Infrastrukturës.

“Buxheti komunal kryesisht mjetet të cilat janë paraparë për investimet kapitale, shkojnë në projektet e rregullimit të infrastrukturës. Edhe sivjet në komunën tonë projektet më të madhe po zhvillohen në këtë drejtim”, ka thënë Elezi.

Më tej, ai ka shtuar se tashmë kanë filluar dy projekte të mëdha në këtë segment.

“Pikërisht në qytet janë duke u realizuar dy projekte të mëdha. Hapja e një rruge të re në pjesën perëndimore të lumit Llap. Po ashtu ka filluar zgjerimi dhe rregullimi i rrugës kryesore të qytetit “Zahir Pajaziti”, tashmë kanë filluar punimet. Ky projekt është dy-vjeçar dhe mendojmë se me përfundimin e këtij, qytetarët do të kenë rrugën e zgjeruar me infrastrukturë përcjellëse që nuk do të kenë probleme”, thotë Elezi, transmeton Llapi.info.

Elezi tutje ka bërë të ditur se janë duke u realizuar edhe projekte të tjera në ndërtimin dhe asfaltimit të rrugëve të tjera në Komunën e Podujevës.

“Mund të them se te asfaltimi i rrugëve kemi hyrë në fazën finale, janë të asfaltuara të gjitha rrugët në qytet dhe në fshatra. Tashmë ka filluar asfaltimi edhe i rrugicave nëpër lagje”, ka shtuar ai./Llapi.info