Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se sot është ekzekutuar pagesa për grupin e parë të punëtorëve që përfitojnë nga subvencionimi i pagave.

Murati ka thënë se të premten që vjen, pritet të bëhet ekzekutimi i pagesave edhe për grupin tjetër.

“Sot, një ditë pas mbylljes së afatit për aplikim për masën mbështetëse të ekonomisë, është ekzekutuar pagesa për grupin e parë të punëtorëve që përfitojnë nga subvencionimi i pagave. Komisioni është duke shqyrtuar aplikacionet në vazhdimësi, ashtu që edhe grupi tjetër të procedohet të premten”, ka shkruar ai në Facebook.

Qeveria e Kosovës ka ndarë në fund të muajit prill 6 milionë euro për subvencionimin e pagave dhe qirave të bizneseve të cilat me vendim të Qeverisë u mbyllën për dy javë, nga 7-18 prill për shkak të rritjes së rasteve pozitive me COVID-19.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, pati thënë me këtë rast se subvencionimi do të bëhet deri në 50%.

“Ndahen 6 milionë euro për subvencionimin e pagave dhe qirave të bizneseve që janë prekur nga disa prej masave të vendosura nga Qeveria për periudhën 7 prill deri 18 prill. Subvencionimi i pagave dhe qirave bëhet deri në 50 për qind. Në vendim janë të detajuara llojet e bizneseve”, pati thënë Murati.