Federata Europiane e Gazetarëve (EFJ) u ka bërë thirrje mediave në Kosovë që të përmbahen nga intensifikimi i tensioneve në kohën kur vendi po përballet me krizën shëndetësore të shkaktuar nga pandemia e coronavirusit.

EFJ thekson se futja në karantinë e Mitrovicës së Veriut është mbuluar në mënyrë të papërshtatshme dhe joetike nga mediat.

Organizata dënon me forcë këtë lloj raportimi, i cili, sipas saj, tregon për ndërhyrje të fuqishme politike në disa media në Kosovë.

Federata Europiane e Gazetarëve reagon sidomos ndaj qëndrimeve dhe pyetjeve provokuese të bëra nga një gazetare e RTK-së teksa raportonte drejtpërdrejt nga Mitrovica e Veriut në lajmet e së shtunës në mbrëmje, të cilat, sipas saj, ngjallën një valë reagimesh në Kosovë.

Raportimet e tilla, sipas EFJ, rrezikojnë të kontribuojnë në ngritjen e tensioneve midis komunitetit serb dhe shqiptar.

Po ashtu, organizata përmend edhe raportimin e portalit Sinjali, i cili, sipas EFJ, shkaktoi polemikë pas pas publikimit të emrave, adresave dhe datat e lindjes të 210 qytetarëve, kryesisht serbë dhe romë, të cilët ishin vendosur në karantinë në Mitrovicën e Veriut dhe qytete të tjera.

“Pas protestave nga publiku dhe Shoqata e Gazetarëve Serbë në Kosovë (UNS-Kosovë), Sinjali ka mjegulluar informacionin personal të këtyre qytetarëve”, thuhet në reagim.

Tutje, Federata thekson se Misioni i OSBE-së në Kosovë i kërkoi mediave të respektojnë privatësinë e pacientëve dhe në asnjë mënyrë të mos zbulojnë identitetin e të prekurve.

“Situata me COVID-19 kërkon solidaritet dhe bashkëpunim në të gjithë shoqërinë, si dhe midis autoriteteve në rajon”, citohet të ketë thënë Misioni i OSBE-së.

“Duket qartë se disa politikanë, duke filluar nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, po përdorin krizën me coronavirusin për të ndezur tensione politike dhe sociale për interes të tyre. Ne u bëjmë thirrje gazetarëve që të mos e luajnë lojën e tyre dhe të veprojnë në interes të publikut”, citohet të ketë thënë Sekretari i Përgjithshëm i EFJ Ricardo Gutiérrez.

Po ashtu, EFJ ka kërkuar nga Komisioni i Pavarur për Media në Kosovë që të hetojë këto raportime joetike dhe të vazhdojë të monitorojë nga afër mediat.