Në Sofje të Bullgarisë u mbajt konferenca “The Balkan Hackathon” në kuadër të festivalit “Webit”.

Programer nga dhjetë vende të Ballkanit Perëndimor morën pjesë në këtë festival. Kosova është përfaqësuar nga Education Innovators Kosova (EIK) dhe të cilët janë në garë për çmimin për 10 mijë euro.

Education Innovators Kosova është themeluar me qëllim të mbështetjes dhe fuqizimit e të rinjve nga komunitete të ndryshme për të arritur potencialin e tyre të plotë akademik dhe profesional në fushën e arsimit, inovacionit dhe ndërmarrësisë.

EIK në këtë ngjarje garon me idenë e luftimit të korrupsionit në fushën e edukimit përmes inovacionit dhe mjeteve të teknologjisë duke siguruar transparencë, llogaridhënie, qeverisje efektive dhe drejtësi në punësim duke bashkëpunuar ngushtë me Drejtorinë e Arsimit në Komunën e Mitrovicës.

Gara “The Balkan Hackathon” do të zgjas 24 orë dhe sfida kryesore do të jetë dixhitalizimi, duke u siguruar se çdo qytetar evropian të jetë pjesë e epokës dixhitale.

Pjesëmarrësit do të garojnë për çmimin prej 10,000 eurove. Ekipi fitues do të marrë pjesë në “Europe Code Week 2018” që mbahet në Bruksel.