Edi Rama frikë nga rrjedhja e votave

Edi Rama frikë nga rrjedhja e votave

Skënder Gjinushi është kthyer në makth për Partinë Socialiste dhe koalicionin që drejton. Hendeku mes kreut të socialdemokratëve dhe shumicës në pushtet është thelluar.

Pavarësisht përpjekjeve dhe investimit personal të kryeministrit Edi Rama, Skënder Gjinushi nuk pranoi të bëhej pjesë e koalicionit të pushtetit, për shkak të shkeljes së marrëveshjes politike nga ana e PS si dhe me argumentin se Rama po ndan pushtetin me ata që i kishte kundërshtarë në zgjedhjet e 2013.
Në këto kushte, Gjinushi vendosi të marrë pjesë i vetëm në zgjedhje, duke mbledhur rreth vetes faktorë dhe personazhe të së majtës, të cilët ishin të pakënaqur. Gazeta SOT publikoi listën me kandidatët për këshilltarë të Gjinushit për shumicën e bashkive kryesore në vend, ndërsa ka propozuar kandidatë për disa nga njësitë vendore.
Ndërkaq, pasi nuk e bindi dot që të futej në koalicion, kryeministri Edi Rama ka nisur një lëvizje për përjashtimin e disa kandidatëve të Skënder Gjinushit nga zgjedhjet e 21 Qershorit, me qëllim shmangien e rrjedhjes së votave të majta në drejtim të PSD. Pas refuzimit për t’i regjistruar në KQZ listën me këshilltarët për Bashkinë e Durrësit, përfaqësuesit ligjorë të Partisë Socialiste dhe LSI në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë kërkuar dje përjashtimin e disa kandidatëve të Gjinushit për kryetarë bashkish.
Konkretisht, PS dhe LSI kanë kërkuar përjashtimin e kandidatëve të Gjinushit për Bashkinë Malësisë së Madhe si dhe për Bashkinë Përrenjas. Këto kërkesa janë kundërshtuar fort nga përfaqësuesit e Partisë Demokratike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, me argumentin se vendimet e KZAZ për regjistrimin e kandidatëve janë të ligjshme. Partia Demokratike ka interes që kandidatët e PSD të mos përjashtohen, pasi futja e tyre në garë pritet të përçajë votat e PS.