Tre persona janë testuar të premten në Kosovë, nën dyshimin se janë të prekur nga koronavirusi. Të trija mostrat e dyshimta rezultuan negative, është bërë e ditur nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

Përmes një komunikate, ky institut ka bërë të ditur se pacientët u kontrolluan nga ekipi i infektologëve në Klinikën Infektive në QKUK dhe mostrat e tyre kanë dalë negative.

“Me datë 06.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK janë testuar tre pacientë dhe kanë rezultuar negative, domethënë pacientët nuk janë të infektuar me virusin SARS CoV-2”, thuhet në komunikatë.

Ndërkohë në botë, numri i të infektuarve me koronavirus e ka kaluar shifrën prej 100.000. Sipas të dhënave të reja, me këtë virus janë prekur 100.242 persona në gjithë botën. Deri më tani, si pasojë e këtij virusi kanë humbur jetën 3.390 persona, derisa tërësisht janë shëruar 55.809 persona.