Futbollisti Alban Ajdini ka bërë të enjten hap të madh në karrierë. 20-vjeçari që luan në krah, ka firmosur kontratë profesionale me klubin e Superligës së Zvicrës, Servette.

Sipas njoftimit të klubit, ai bashkohet me ekipin profesional të Servettes.

Ajdini, që me prejardhje është nga Kosova, është prodhim i Akademisë së Servettes. Është bashkuar me këtë skuadër në moshën pesëvjeçare. Ka kaluar të gjitha grupmoshat dhe tashmë është në derë të ekipit të parë.

Në pjesën e parë të edicionit është paraqitur me shumë sukses për ekipin U-21 të Servettes, kurse tashmë ka nisur stërvitjet me ekipin e parë.

Ajdini ka firmosur kontratë të vlefshme deri në vitin 2022.

“Servette është e lumtur me nënshkrimin dhe i dëshiron lojtarit të ardhme të ndritur”, thuhet në komunikatë.

Servette aktualisht është e katërta në Superligën e Zvicrës. Kështu Superliga e Zvicrës vazhdon të jetë kampionati evropian në të cilin paraqiten më së shumti futbollistë shqiptarë. Numri i tyre po shkon duke u rritur vazhdimisht.