Edhe këtë vit gara #InstaKosova

Edhe këtë vit gara #InstaKosova

Gara për fotografinë më të mirë të Kosovës “InstaKosova 2016”, thashmë është shpallur nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Kjo ministri në Bashkëpunim të British Council, përmes një kumtese, fton qytetarët e Kosovës e edhe ata që jetojnë në diasporë që të marrin pjesë në këtë garë që organizohet për të tretën herë me radhë.
Gara organizohet çdo vit në kuadër të kremtimit të Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, më 17 shkurt dhe u dedikohet imazheve më të mira nga Kosova të botuara në rrjetet sociale.

“Kjo garë do të zgjasë deri më 1 shkurt 2016. I ftojmë të gjithë që të publikojnë pamje të Kosovës, rajoneve, njerëzve, festave dhe ngjarjeve të ndryshme që kanë shënuar Kosovën në tetë vitet e fundit. Fotot e përzgjedhura si fituese në edicionet e shkuara të #InstaKosova nuk do të kualifikohen për në garën e sivjetme, ndërsa nga autorët e fotografive kërkohet që t’i titullojnë ato dhe të përfshijnë edhe datën e fotos”, njofton MPJ.

Fotografitë me të cilat qytetarët synojnë të garojnë, duhet të postohen në rrjetet sociale Facebook, Twitter, Instagram apo Flicker, me thurjen #InstaKosova apo #InstaKosovo.

Fotografia më e mirë do të shpërblehet me 500 euro, ndërsa autorët e 10 fotove më të mira do të fitojnë nga 50 euro. Njëqind fotot më të mira do të botohen në një libër ku do të përfshihen edhe fituesit e garës së vitit të kaluar #KosovoinUNESCO.

Përzgjedhja do të bëhet nga një juri e pavarur dhe profesionale.