Krahas numrit të të infektuarve me virusin korona në Kosovë, edhe numri i të shëruarve nuk po mungon, shkruan Llapi.info.

Vetëm gjatë ditës së sotme janë shëruar edhe 21 pacientë të prekur me COVID-19. Kështu ka bërë të ditur Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës. Sipas IKSHPK-së, deri më tani janë shëruar 159 qytetarë.

“Sot më 23 prill 2020, janë shëruar edhe njëzet e një (21) pacientë, bazuar në rekomandimet e OBSH-së ku dy mostra rezultojnë negative me së paku një ditë distancë kohore. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej njëqind e pesëdhjetë e nëntë (159) raste”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Marrë parasysh të dhënat e fundit, deri më tani në Kosovë 669 persona janë të infektuar me koronavirus.

Më qëllim të parandalimit të përhapjes së pandemisë, më 15 prill në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.

Bazuar në masat e vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.

Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.

Këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, porse do të shqyrtohen në varësi të rezultateve, jo më vonë se data 30 prill./Llapi.info