Nëse ecni shpejt, kjo është një shenjë shumë pozitive pasi që studimet e reja tregojnë se kjo praktikë mund t’ua zgjatë jetën, raporton Web MD.

Krahasuar me ritmin e ngadaltë të ecjes, shkencëtarët kanë dalë me rezultate se ecja me një ritëm mesatar e zvogëlon rrezikun e vdekjes për 20 për qind, ndërkohë që ritmi më i shpejtë e zvogëlon për madje 24 për qind.

“Ritmi i shpejtë i ecjes zakonisht nënkupton shpejtësi prej pesë deri në shtatë kilometra në orë, por edhe kjo varet shumë nga gjendja fizike e njeriut. Ecja e shpejtë automatikisht kontribuon në djersitje më të shpejtë dhe është një valvul e shkëlqyeshme liruese”, tha studiuesi Emmanuel Stamatakis, transmeton “Koha Ditore”.

Rezultatet janë të ngjashme edhe kur është fjala për vdekjen e shkaktuar nga sëmundjet konkrete të zemrës. Më konkretisht, shkencëtarët kanë konstatuar se njerëzit që ecin shpejt e zvogëlojnë rrezikun e sëmundjeve të zemrës për 24 për qind, ndërsa shkalla e vdekshmërisë tek njerëzit që ecin me ritëm mesatar zvogëlohet për 21 për qind. Përfitimet e ecjes së shpejtë ishin veçanërisht të theksuara tek të moshuarit.

Për qëllime studimi, Stamatakis dhe studiuesit e tjerë i analizuan të dhënat e vdekjeve dhe i lidhën ato me rezultatet e 11 hulumtimeve në Angli dhe Skoci midis viteve 1994 dhe 2008. Në këto sondazhe, njerëzit raportuan aktivitete të lidhura me ecjen e tyre ose me shprehitë e vrapimit.

Gjatë përmbledhjes së gjetjeve, hulumtuesit i morën parasysh faktorët si sasia dhe intensiteti i të gjithë aktivitetit fizik, mosha, gjinia dhe pesha e trupit.

Rezultatet u publikuan në revistën British Journal of Sports Medicine.