Nga shkallët e shtëpisë gjysmë të rrënuar e duke i mbajtur sytë vazhdimisht te porta në fund të oborrit Mehmetali Shabani dhe gruaja e tij Mihanja nga komuna e Gjilanit presin me shpresë se dikush do t’u ndihmojë që t’ua mbushë sofrën me bukë për fëmijët për festën e Kurban Bajramit.

Derisa nuk kanë mundësi të ngopen mirë me bukë, ata jetojnë edhe me frikën se një ditë shtëpia ku jetojnë do të rrënohet.

Në vizitën që stafi i gazetës “Zëri” ka bërë në shtëpinë e familjes Shabani në lagjen “Dheu i Bardhë”, në Gjilan, shihet se kushtet e kësaj familjeje janë shumë të rënda, për të mos thënë mungojnë edhe gjërat më elementare për jetë

“Po e përjetojmë tmerrin”

Kryefamiljari Mehmetali Shabani ka treguar për tmerrin që është duke e përjetuar në atë shtëpi të rrënuar, e cila fatkeqësisht nuk është as e tyre. Ai ka rrëfyer që jeton me ankth se një ditë do t’i shembet shtëpia, nga e cila çdo ditë bie nga një copë e murit.

Shabani ende mban një shpresë, se një ditë dikush do t’i ndihmojë që të ketë një kulm të sigurt për atë dhe për familjarët e tij, pasi që ai vetë si pasojë e një aksidenti që kishte pasur para tetë vjetësh ka mbetur i paaftë për të punuar. “Këtu është tmerri i tmerrit, shtëpia është shumë e vjetër, po ndihemi të rrezikuar, shtëpia ka krisur dhe një lëkundje shumë e vogël e tokës mund të na rrezikojë jetën bashkë me fëmijët. Çdo ditë jemi të rrezikuar në këtë shtëpi, kur bie shi të gjithë rrimë me frikë, çatia vazhdimisht pik. Kam pasur aksident në vitin 2010. Punoj herë-herë, nuk jam në gjendje të punoj gjithmonë, mbledh kënaçe, drurë, çfarëdo që mundem, mundohemi t’ia dalim disi muajit”, ka treguar ai.

15 vjet vuajtje duke u endur nga shtëpia në shtëpi, duke u munduar që me mbledhjen e kënaçeve të sigurojë pak bukë për dy fëmijët e tij, nuk ia kanë humbur shpresën Shabanit se ende ka njerëz të vullnetit të mirë. “Në çdo Bajram ka pasur persona që na kanë ndihmuar nga pak, ia kemi dalë disi, shpresojmë që edhe tani do të na ndihmojnë, djali i madh tani i mbush 16 vjet, kurse djali i vogël është 14-vjeçar. Kështu ia dalim me mish e me shpirt duke na ndihmuar, dikush me çanta, dikush me këpucë, dikush me ushqim”, ka rrëfyer ai.

Për kryefamiljarin e familjes Shabani sigurimi i një kulmi mbi kokë për dy djemtë dhe për bashkëshorten e tij është brenga e tij më e madhe. “Brenga jonë më e madhe është shtëpia, strehimi, se për të tjerat ia dalim disi, qe 15 vjet jemi duke ndërruar shtëpi, kjo është shtëpia e katërt, edhe këtu pritet nga momenti në moment të na largojë pronari. Jam detyruar të hyj në këtë shtëpi pasi që nuk kam mundësi të paguaj qira në ndonjë shtëpi tjetër, kam kërkuar ndihmë, por për të na ofruar ndihmë kanë gjetur shumë arsye, ka pasur edhe shumë organizata që na kanë vizituar, mirëpo për shkak që nuk kemi tokë tonën nuk kanë mundur as të na ndihmojnë”, ka rrëfyer më tutje Shabani.

Ndërsa bashkëshortja e Shabanit, Mihanja, me lot në sy ka rrëfyer se sa të vështirë e kanë ata si prindër që t’ua plotësojnë kërkesat fëmijëve të tyre, kërkesa që nuk përfshijnë më shumë se një kafshatë goje e një kulm ku do të qëndrojnë pa frikën se një ditë do të bjerë mbi ta. “Fëmijët po kanë nevojë për një strehim të tyrin, për ushqim e kemi shumë vështirë, dalim për të marrë diçka kur ka aksione humanitare, çdo mëngjes ushqimin e kemi pothuajse të njëjtë – supë. Herën e fundit kur kemi ndërruar banimin ka qenë dimër, fëmijët tanë po lakmojnë, kur kërkojnë ndonjë gjë u them nuk kemi për momentin, por do të bëhet mirë, reagimi i tyre është që vetëm për ne s’po bëhet mirë”, ka treguar ajo.

Përveçqë e ka bashkëshortin e sëmurë, Mihanja tregon që nga ndërrimi i shpeshtë i shtëpive, nga qëndrimi në shtëpi pothuajse të shkatërruara, edhe vetë tani ka probleme shëndetësore, për të cilat e ka shumë të vështirë t’i sigurojë barnat. “Kemi kërkuar ndihmë, por ende askush nuk na ka ndihmuar, bashkëshorti ka pasur aksident, nuk është i aftë për punë për shkak të lëndimeve që ka në trup. Qe dy vjet e gjysmë jemi në këtë shtëpi, qe 15 vjet jemi në shtëpi të huaja të komunitetit rom”, ka thënë ajo.

Edhe Mihanja si burri i saj Mehmetali Shabani shpreson që në këtë festë njerëzit e vullnetit të mirë do t’ia zgjasin dorën për t’i ndihmuar. “Më së shumti kemi nevojë për një kulm mbi kokë, kjo shtëpi e vjetër është edhe e huaja, çdo mëngjes zgjohem me frikën se pronari do ta shesë dhe do të na largojë, kur bie shi gjithmonë hyn brenda, rryma është shumë e keqe, më ka rrezikuar djalin dhe burrin, kërkesa ime është për kulm mbi kokë, edhe nëse vdes nuk e kam dert vetëm për fëmijët një strehim”.

Mirëpo pavarësisht varfërisë së madhe i zoti i shtëpisë Shabani në një sipërfaqe prej 4 metrash katrorë ka krijuar një kopsht të vogël, në të cilin ka mbjellë perime për të ngrënë gjatë verës. Ndërsa në bodrumet gjysmë të rrëzuara ai ka krijuar një punëtori të vogël, ku mundohet të presë drurë, të cilët i mbledh nëpër rrugë që në stinën e dimrit të sigurojë për ngrohje.