Bamirësit ia ndërtuan shtëpinë familjes 19 anëtarëshe, por shirat e rrëmbyeshëm i kanë shkaktuar dëme të mëdha objektit.

Bahjrije Gashi jeton bashkë me bashkëshortin, vjehrrën dhe 16 fëmijët e saj në shtëpinë që ia ndërtuan bamirësit.

Ajo flet për situatën me të cilën u përballë pas rënies së shumë reshjeve.

“Ne kemi rënë në gjumë. Shiu ka rënë gjatë gjithë natës dhe kur jemi zgjuar kemi parë që na është futur shumë ujë në shtëpi. Lajmërova institucionet dhe kërkova ndihmë, por ata na thënë që vetëm zjarrfikësit mund të na bëjnë zgjidhje me pompa që ngrehin ujin”, rrëfen për RTV Dukagjinin, Bahrije Gashi.

Bahrija thotë se nga sasia e ujit janë dëmtuar të gjitha mobiliet që u ishin dhuruar nga qytetarët, përcjell Telegrafi.

“Kati i parë tashmë nuk ka rrymë. Është djegur lavatriqja, bojleri dhe janë shkatërruar dhomat e gjumit. Më është bërë shumë dëm. Unë më nuk kam mundësi për t’i rinovuar ato”.

I vetmi i punësuar në familjen 19 anëtarëshe është kryefamiljari.