ilustrim

Të shtëna me armë janë dëgjuar sot rreth orës 17:00 në fshatin Batllavë të Komunës së Podujevës.

Nga këto të shtëna nuk ka të lënduar, ndërkohë që Policia e Kosovës ka arrestuar pesë persona përkitazi me këtë rast. Lajmin për Llapi.info e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Burime të Indeksonline thonë se ata gjuajtën me armë në malet e Batllavës për shkak të fejesës së shokut të tyre.

Të njëjat burime tregojnë që 5 të arrestuarit janë nga: 1 Mitrovicë, 1 Gjakovë, 2 nga rajoni i Drenicës dhe 1 nga Podujeva.

Pas festës me armë në Batllavë, ata u ndalën nga Policia gjatë rrugës në Lluzhan, ku më pas edhe u arrestuan. Për momentin, ata gjenden në Stacionin Policor të Podujevës.

Lajmin për Llapi.info e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Prishtinë, 31 maj 2021- Sot rreth orës 17:00, kemi pranuar informatën për gjuajtje me armë në fshatin Batllavë të Podujevës. Ka qenë reagimi i shpejtë i njësiteve policore të Podujevës, ai që ka rezultuar me ndalimin dhe arrestimin e 5 personave të dyshuar, të cilët prej dy veturave të ndryshme, dyshohet se kanë shtënë në ajër dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes. Veturat e personave të dyshuar janë ndaluar në fshatin Lluzhan, ku nga ana e policisë janë gjetë dhe sekuestruar: – një armë automatike zjarri AK-47 me 9 fishekë – një pistoletë e tipit Ekol -T, me 5 fishekë si dhe një shkop. Personat e arrestuar ngarkohen me veprat shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje. Ndaj tyre po kryhen procedurat e nevojshme policore në koordinim me prokurorin e shtetit”, ka thënë Ahmeti./Llapi.info