Dita e premte ishte e pazakonshme për Organizatën e Veteranëve të Luftës të UÇK-së për shkak se në zyrat e tyre ishin dhjetëra hetues të Gjykatës Speciale për të kryer bastisje që u pasuan me arrestimet e dy krerëve të këtij institucioni.

Fillimisht në orët e para të pasdites është arrestuar kryetari i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati brenda zyrave të institucionit, shkruan lajmi.net.

Gucati është nxjerrë i prangosur nga zyra e tij, prej forcave të shumta të policisë së Eulexit.

Nuk dihet akoma arsyeja e arrestimit të kreut të veteranëve, veçse Tribunali Special ka nisur nga dje arrestimet e para për të akuzuarit për krime lufte.

Sipas raportimeve të para të medieve vendore, bastisja e sotme në këtë institucion ka të bëjë me publikimin e dosjeve të cilat kanë rrjedhur nga Gjykata Speciale dhe kanë rënë në duart e OVL-së.

E brenda zyrave të OVL-së nuk ishte i pranishëm nënkryetari Nasim Haradinaj. Ai fillimisht kishte deklaruar se nuk do të shkojë në zyrë dhe se nuk i dorëzohet EULEX-it.

”Nuk shkoj në organizatë. Nuk i përgjigjem EULEX-it sepse ata e arrestuan Hysni Gucatin”, kishte deklaruar ai.

Por më vonë, Haradinaj është ndaluar afër zyrave të OVL të UÇK-së nga hetuesit e Speciales dhe ka refuzuar të arrestohet nga këta të fundit.

Haradinaj është arrestuar me kërkesë të tij nga zyrtarë të Policisë së Kosovës.

Pak para se të arrestohej, Haradinaj ka mbajtur një konferencë për media ku ka deklaruar se nuk e njohin Gjykatën Speciale.

“Përfaqësuesit e kësaj Gjykate që ne nuk i njohim e kanë pranuar decidivisht që kjo Gjykatë nuk është e Kosovës, na kanë thënë ne nuk dimë politikë, nuk është në Kosovë dhe nuk i pyesim këta. Nëse kjo nuk është e Kosovës ne nuk e njehim. Prandaj tash secili njëri që është në shtëpinë e vet le të llogaritë dhe të sheh a janë ato premtime, nuk luajnë rol partitë politike, a jonë ato premtimet ku deputeti jonë ka lyp me bë shtet dhe përfaqësues i popullit. Kurrkush, kurrkush, te një shtet që nuk është shtet, te një Parlament që nuk është Parlament dhe nuk guxon të votojë përpos çka i thotë tutori, përpos mënyrës se si ta ruan pagën e vet. Nëse kemi shtet dhe nëse dua pushtet për të blerë çanta të mira të grave dhe makina të mira atëherë nuk kemi nevojë me bë shtet, kishim jetuar me Marshall Titën ishim kënaq veç mos me i ngucë, veç mos me thënë nuk jemi shqiptarë asnjë send tjetër nuk është dashur. Prandaj po të kthehej Millosheviqi edhe i thua unë nuk e kam identitetin shqiptar dhe mua po më intereson me hëngër mirë, të jetoj mirë, ju garantoj se as ata nuk na ngucin”, tha ai.

Megjithatë, ende nuk dihet saktësisht se cila ishte arsyeja e kësaj bastisje në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe nuk dihet se çfarë do të ndodh pas kësaj dhe cilat do të jenë konsekuencat.