Ndonëse është i rrjedhshëm në narracion, intelektuali francez, Bernard-Henri Lévy, shfaqet para kamerave vetëm pak herë në “Peshmerga” dhe “The Battle of Mosul”, ndërsa këtë e bën kryesisht për t’u kontribuuar dokumentarëve që drejton, shkruan sot Koha Ditore.

“Peshmerga”, më i gjati prej të dyve, synon që t’i shpërfaqë fytyrat e ushtarëve kurdë që e luftojnë Shtetin Islamik në Kurdistanin irakian, rajon ky ku konfliktet kanë tendencë që të treten mes mjegullnajës së kryetitujve dhe abstraktes.

Angazhimet jo të pakta që Lévy ka pasur përgjatë karrierës së tij (si korrespondent lufte dhe filozof) e kanë ndihmuar për t’i bërë dokumentarët e tij joshës, në shumë aspekte. Lévy është i interesuar jo vetëm për ushtarët që i shoqëron, e trimërinë e të cilëve e ngre në qiell me një gjuhë të pakursyer, por edhe në historinë e rajonit (shtrirjen e saj përgjatë Irakut verior) që prej së shkuarës së kahershme të Marrëveshjes Sykes-Picot, të shekullit 20.

Pos kurdëve, shumë grupe fetare dhe etnike kanë bashkëjetuar paqësisht në këtë rajon, përgjatë shekujve. Mes tyre përfshihen jazidët, të cilët janë vënë në shënjestër të gjenocidit prej anës së Shtetit Islamik. Mësojmë, po ashtu, për historinë hebraike të rajonit, takohemi me një prift të krishterë që këndon në gjuhën armike dhe e vizitojmë një manastir që duket pothuajse krejtësisht i patrazuar, duke i pasur parasysh të gjitha ato që ngjajnë përreth tij.

Por që të dy filmat janë para së gjithash ditarë lufte.

“Peshmerga”, që e merr emrin prej forcave kurde që e luftojnë Shtetin Islamik, i përcjell ushtarët nga afër nëpër veriperëndim përgjatë vijës së kërrusur të frontit që e ndan territorin e kontrolluar nga kurdët prej atij që është nën udhëheqjen e grupit militant të ISIS-it.