Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka mbajtur konferencë për medie, në të cilën njoftoi se kanë dorëzuar në Prokurorinë Speciale kontratën e nënshkruar nga ish-ministri Pal Lekaj, ku vlera e parashikuar ishte 500 mijë euro ndërsa kishte përfunduar në vlerë prej 5 milionë e 300 mijë euro.

Durmishi tha se bëhet fjalë për kontratë për mirëmbajtjen e urave në rrugët regjionale dhe rajonale të Kosovës për vitet 2017-2019.

“Kontrata është nënshkruar në mars të vitit 2018 në kohën e ministrit Pal Lekaj ku vlera e parashikuar e kësaj kontrate ka qenë 500 mijë euro e cila ishe bërë publike në platformën elektronike e cila kishte përfunduar në vlerën prej 5 milionë e 300 mijë euro”, tha ai.

Durmishi njoftoi përmes një postimi në Facebook për detaje tjera të këtij rasti.

Postimi i plotë:

Sot, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, kam dorëzuar kontratën “Mirëmbajtja e urave në rrugët nacionale dhe regjionale të Kosovës për vitet 2017 –2019”

Të dashur qytetarë, të nderuar përfaqësues të medieve,

Dëshiroj të ju njoftoj se unë sapo e dorëzova në Prokurorinë Speciale një dosje për të cilën kemi dyshim të bazuar për korrupsion të hapur dhe brutal.

Bëhet fjalë për kontratën “ Mirëmbajtja e urave në rrugët nacionale dhe regjionale të Kosovës për vitet 2017 – 2019”.

Kontrata është nënshkruar në mars 2018 në kohën e ministrit Pal Lekaj. Vlera e parashikuar e kontratës ka qenë 500 000 euro e cila ishte bërë publike në platformën elektronike.

Në fund kjo kontratë kishte përfunduar në vlerën 5 milionë e 300 mijë euro.

Pas hapjes së ofertave, vlerësimit të tyre, derisa në të gjitha dokumentet zyrtare të publikuara vlera e parashikuar ishte 500 mijë euro në kontratën e nënshkruar te kushtet e përgjithshme të kontratës ndërhyhet dhe ndryshohet në mënyrë të kundërligjshme neni 24, paragrafi 24.1 me ç’rast i gjithë buxheti i paraparë për ndërtimin dhe rikonstruimin e urave në tërë territorin e Kosovës në shumë prej 4 352 022 euro vendoset në këtë kontratë që është në kundërshtim me ligjin.

Për ta shpjeguar më mirë për opinionin publik pse kjo kontratë ka lëvizur brutalisht nga 500 mijë në 5 milion e 300 mijë, po i marr vetëm dy pozicione të kësaj kontrate: Pozicioni 5.1 në të cilën parashihej gërryerja dhe pastrimi i betonit të degraduar ishin të parapara 350 metra katror me çmim 5 euro për metër katror në fund arrin në 103 mijë e 811 metër katror apo në vlerë monetare 519058 euro

Pozicioni 5.4 në të cilën parashihej lyerja e shtyllave të urës që ishin të parapara 450 metra katror me çmim 10 euro për metër katror që në total do të kushtonte 4500 euro, në fund ka përfunduar me rritje të sasisë në 103812 metra katror apo në vlerë 1038124 euro.

Ky është vetëm një rast, ka dhe raste të tjera të ngjashme e të cilat jemi duke i analizuar dhe për secilin prej tyre do ti njoftojmë organet kompetente të shtetit tonë.