Sot është dita botërore kundër duhanit që shënohet nga viti 1987. Numri i duhanpirësve në Kosovë vazhdon të jetë i lartë. Me rreth 20% të popullsisë duhanpirës, sipas statistikave të Doganës së Kosovës, vendi shpenzon mesatarisht 200 deri në 300 milionë euro në vit për duhan, ndërsa një person duhanpirës shpenzon rreth 600 euro në vit.

Sipas OBSH-së, duhani përmban mbi 7,000 lëndë kimike toksike që shkaktojnë sëmundje të pashërueshme dhe helmojnë mjedisin. Pasojat e këtyre lëndëve kimike rezultojnë me vdekjen e rreth 7 milionë personave në vit dhe rrezikim serioz të shëndetit të atyre që i rrethojnë duhanpirësit, përfshirë fëmijët. Konsumimi i duhanit në Kosovë është i rregulluar me ligj i cili fatkeqësisht po zbatohet shumë pak në praktikë.

Përpos që dëmton rëndë shëndetin e konsumuesit dhe personave përreth, duhani dëmton edhe ambientin. Prodhimi i duhanit dëmton pyjet si lëndë e parë për prodhim por edhe nga djegia ndërsa përpunimi i tij kontribuon në emetimet e gazrave serë dhe shpyllëzim. Për më tepër, duhanpirja liron mijëra tonelata të kemikateve kancerogjene në mjedis. Poashtu, hedhja e mbetjes së cigares në ujë i kushton me jetë gjallesave ujore të cilat thithin kemikatet helmuese.