Në emisionin “Kallxo Përnime” po transmetohet intervista me drejtorin e ri të Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu.

Llugaliu ka folur për sfidat në ndalimin e kontrabandës, rritjen e efikasitetit në zhdoganimin e mallrave dhe shumë shqetësime të tjera.

Ditë me parë emisioni ‘Kallxo Përnime’ ka transmetuar një hulumtim rreth makinerive që përdoren për prodhimin e kryptovalutave në veriun e Kosovës për shkak se atje nuk paguhet rryma nga qytetarët.

Drejtori i Doganës në intervistë ka treguar se Dogana e Kosovës është e gatshme që nëse kërkohet t’i verifikojë të gjitha makineritë e kryptovalutave në veri se a janë të zhdoganuara në Doganën e Kosovës.

“Dogana e Kosovës në vazhdimësi, sidomos në vitet 2017 dhe 2018 ka pasur një fluks të madh të importit të makinerive që përdoren për prodhimin e kryptovalutave, ne besojmë që një pjesë e madhe e tyre edhe mund të jenë zhvendosur në veri por nuk është në domenin e Doganës që të merret me veprimtarinë të cilën ata e bëjnë për shkak se është veprimtari që bie në fushat e agjencive tjera të zbatimit të ligjit”, ka thënë drejtori Llugaliu.

“Ne do të përgjigjemi në çfarëdo iniciative nga agjencitë që e kanë në përgjegjësi primare çështjen e operimit ilegal, në rast se vepron cilido institucion, ATK apo inspektorati komunal që janë të thirrur me mbikëqyrë tregun e brendshëm ne do të bëjmë gjitha veprimet që lidhen me përgjegjësinë tonë ligjore”, tha ai, duke shtuar se kohëve të fundit ka pasur raste kur kanë konfiskuar kësi produkte në veri.

“Kemi pasur një rast të vogël të konfiskimeve edhe në veri kryesisht i makinave që përdoren për kryptovaluta por nuk ka ndonjë indikacion për një shkallë të lartë te kontrabandës së tyre siç e thash gjatë vitit 2017- 2018 kemi pasur import të lartë të tyre”, theksoi drejtori Llugaliu.

I pari i Doganës së Kosovë ka folur edhe për kontrabandën e mallrave në Kosovë e veçanërisht në veri.

“Që nga viti 2012 kur është bërë rivendosja e zyrtarëve doganorë në veri shumica e mallrave doganohen por veçori dalluese e kontrabandës në veri më shumë është çështja e shtrirjes gjeografike dhe e rrugëve të shumta që kalojnë në atë pjesë, Policia e Kosovës ka shtrirje në gjithë territorin e Kosovës por ka vështirësi sepse kjo paraqitet si pjesa më problematike e territorit të Kosovës”, tha ai.

“Problem tjetër me kontrabandën është paraqitur edhe gjatë vitit 2010 kur Qeveria e Serbisë ka marrë vendim që i ka liruar mallrat prej obligimeve prej taksave prej detyrimeve që paguhen në Serbi në rastet kur janë eksportuar në Kosovë edhe përmes rrugëve ilegale atë problem më nuk e kemi në atë pjesë të kohës ne e kemi pasur problemin me derivatet e naftës që janë produkt akcizor dhe është kategoria më strategjike sa i përket të hyrave. Përtej të hyrave kjo dukuri ka paraqitur problem edhe në ambient edhe me mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve por edhe Dogana edhe institucionet e tjera kanë bërë përpjekje të vazhdueshme ne luftimin e kësaj dukurie”, shtoi drejtori i ri i Doganës.

Dukuria e kontrabandës është prezente edhe në zonat tjera kufitare të Kosovës.

“Kontrabanda është dukuri si në vendet e tjera sepse nuk ndodh kontrabanda vetëm ne Kosovë, ta zëmë në pjesën e Vitisë në kufirin me Maqedoninë e Veriut ne kemi raste shumë shpesh kur kontrabandohen përmes rrugëve ilegale produktet ushqimore të ndryshme, kemi raste kur kontrabandohet duhan në Maqedoninë e Veriut, në vitet e kaluara ka pasur një regjim me tolerues në kontrollin e produkteve të duhanit jo të cigares por duhan i papërpunuar gjithashtu siç e patë edhe në arrestimin e doganierit që ka qenë në Vërmicë ka qenë problem, edhe prej Shqipërisë ka ardhur në formë kontrabande”, ka thënë Llugaliu.

Sipas drejtorit të Doganës tregu i telefonave mobilë mbetet çështje më shqetësuese sa i përket zhdoganimit të këtij produkti në pikat doganore.

“Mashtrimet që i zëmë në përgjegjësi janë bukur të fragmentuara, janë të shtrira në produktet të ndryshme, nuk është se mundemi me u orientua vetëm në një produkt të veçantë nga analiza e tregut që e bëjmë ka produkte që nuk jemi të kënaqur me nivelin që e kemi ne zhdoganim, te kjo pjesë kisha me veçu tek tregu i telefonave mobilë, kjo pjesë është pak më shqetësuese, përndryshe nuk është se mundemi me thanë se mashtrimi është i fokusuar në këtë apo atë grup të produkteve”, potencon Llugaliu, i cili ka shtuar se edhe tregu joformal vazhdon të mbetet në nivel goxha të lartë.

“Unë e di që në Kosovë edhe sipas vlerësimeve që janë bo zyrtare ekonomia joformale është ne nivel goxha të lartë, nuk i di arsyet e çështjes se TVSH-së që mblidhet në brendi por ajo që mund të them unë është se ne i vemi në dispozicion të gjitha të dhënat që mblidhen në kufi dhe janë në dispozicion të plotë të ATK-së, ne kemi edhe grupe të përbashkëta të punës që orientohen në kontrollin e produkteve që paraqiten me rrezik më të lartë të mashtrimeve për kontrabandë”, tha ai.

Produkte të lehta për kontrabandim mbeten edhe produktet e arit për faktin se kanë vlerë të lartë përkundër madhësisë që kanë.

“Produktet e arit sipas një instrumenti të kontrollit te MTI-së para së te vihen në shitje duhet të vihen fillimisht në kontroll të plotë dhe duhet të markohen si produkte, është e lehtë të kontrabandohen për faktin se kanë vlerë të lartë përkundër madhësisë që kanë”, theksoi ai.

Edhe ndryshimi i kilometrave të automjeteve sipas drejtorit kërkon vëmendje të shtuar në pikat doganore.

Ndryshimi i kilometrave të veturave është problem i të gjitha vendeve. Fatkeqësisht ne si Doganë e zbatojmë një program online të tregut gjerman që është bukur mirë i mirëmbajtur i cili përveç të dhënave teknike të veturës ose të automjetit kërkon edhe gjendjen e kilometrave për me përcaktu vlerën e tregut në këtë rast të Gjermanisë por edhe tregjeve tjera. Me këtë fakt ne detyrohemi që t’i vendosim të dhënat edhe në dokumentin doganor”, tha Llugaliu.

Mashtrimi me markat tregtare sipas drejtorit të Doganës ndodh edhe nga kontrabanda por edhe disa prodhohen brenda Kosovës.

“Dogana e Kosovës përveç ligjit e ka edhe një sistem bukur të besueshëm që zbaton çështjen e kontrollit të markave të falsifikuara. Në përgjithësi ne marrim edhe vlerësime pozitive edhe në Raportin e Progresit  të Komisionit Evropian. Unë jam i vetëdijshëm që mund të ketë edhe raste të mashtrimit me markat tregtare por gjithashtu jam i vetëdijshëm që kemi pasur 3 ose 4 raste që kemi konfiskuar linjë të prodhimit për marka tregtare që janë bërë në brendi të vendit dhe ka raste kur edhe kemi zënë kontrabandë”, theksoi Llugaliu.

Nga viti i kaluar të dhënat tregojnë se 127 milionë euro kanë qenë me pak të hyrat.

“Këtë vit qëndrojmë më mirë se pritjet. Aktualisht ne jemi duke i mbledhur afër 100 milionë më shumë sesa vitin e kaluar. Për trendin që po flasim ky trend i mbledhjes deri vonë ka qenë 75 milionë mbi të hyrat e realizuara vitin e kaluar tash ditët e fundit i kemi afër 100 milionë, ne presim që të kemi një tejkalim të lehtë të projeksionit i cili është 1 miliard e 173 milionë mirëpo qëndrojmë më mirë edhe se viti 2019, gjatë të cilit nuk ka pasur çështje të krizave ekonomike të jashtëzakonshme”, tha drejtori Llugaliu./kallxo.com