Përderisa disa drejtorë të Drejtorive në Komunën e Podujevës kanë publikuar pasurinë e tyre, disa as që ia kanë ‘mësyrë’ kësaj pune, shkruan Llapi.info

E për këtë çështje, Agjencia Kundër Korrupsionit ditë më parë ka bërë publike deklarimet e pasurisë nga ana e zyrtarëve. Toka të shumta, para të gatshme e vetura të shtrenjta janë disa prej deklarimeve nga ana e drejtorëve në këtë Komunë.

Drejtori i Planifikimit Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Podujevës, Hamdi Jaha, ka deklaruar se ka në pronësi të përbashkët një banesë prej 59 mijë eurove, bodrum i përbashkët në vlerë prej 11 mijë e 700 eurove.

Jaha në pronësi të përbashkët, ka deklaruar se ka blerë toka bujqësore, livadhe, mal e tokë ndërtimore në vlerë prej 299 mijë e 752 euro. Sipas deklarimeve Jaha këto blerje i ka bërë në vitet 2005, 2008, 2015, 2016 dhe 2017. Drejtori Jaha nuk ka deklaruar shumat për tokat e trashëguara.

Tutje Hamdi Jaha ka deklaruar se para të gatshme në bankë ka 23 mijë e 389 euro. Ka thënë se ka veturë të tipit ‘BMW’ rreth 20 mijë euro.

Ndërsa, Drejtori i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Komunën e Podujevës, Vezir Januzi, ka deklaruar në pronësi të tij nga të hyrat nga bota e jashtme ka oborr 10 ari dhe shtëpi 200 metër katror, në vlerë prej 60 mijë euro.

Ka deklaruar se ka arë, livadh e mal ka në pronësi të përbashkët të trashëguara në vlerë prej 345 mijë euro.

Januzi ka deklaruar se ka lokal të përbashkët në vlerë prej 90 mijë euro nga të hyrat e jashtme. Januzi nuk ka deklaruar pasuri të tjera.

Pasuri të ‘majme’ ka edhe drejtori i Drejtorisë së Pronës Kadastrit dhe Gjeodezisë, Abaz Llugaliu. Ai ka thënë se zotëron shtëpi në vlerë 60 mijë euro. Ara, livadhe dhe oborr në vlerë prej 193 mijë euro.

Pasuri të luajtshme, Llugaliu ka deklaruar një lopë qumështore me një dem prej 4 mijë eurosh, ndërsa ka thënë se ka veturë të tipit ‘Passat’ 6 mijë e 500 euro. E rreth 7 mijë euro ka deklaruar se i ka të gatshme në bankë.

Toka të shumta ka deklaruar edhe drejtori i Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Faik Muçiqi. Ka deklaruar se ka mal, tokë të punuara, livadh e oborr në vlerë prej 114 mijë e 500 euro. Ndërsa, ka thënë se ka banesë prej 53 mijë e 500 euro, e shtëpi të trashëguar 49 mijë e 500 euro.

Pasurinë e ka deklaruar edhe drejtori i Inspektoratit, Durim Salihu.

Salihu për AKK-në ka deklaruar se në pronësi të tij ka truall të trashëguar në vlerë prej 26 mijë e 800 euro. Sipas deklarimit, Salihu në pronësi të përbashkët të trashëguar në vitin 2012 ka tokë në vlerë prej 119 mijë euro.

Të përbashkët Salihu ka deklaruar edhe shtëpinë e re prej 66 mijë e 150 euro, ku për këtë shtëpi Salihu, ka deklaruar se kjo është blerë nga të ardhurat personale familjare, kredi familjare si dhe kursime familjare.

Salihu ka deklaruar se në pronësi të përbashkët ka livadh në vlerë prej 9 mijë e 495 euro, të arritur nga të ardhurat personale familjare, bujqësore, kredi familjare si dhe kursime familjare.

Sipas deklarimit, në pronësi të përbashkët Salihu ka deklaruar se ka truall në vlerë prej 26 mijë e 800 euro.

Tutje, Salihu ka deklaruar se ka veturë prej 10 mijë e 500 euro, të arritur nga të ardhurat personale familjare, bujqësore, kursimet familjare dhe huaja e marrë nga personi fizik. Salihu ka deklaruar se para të gatshme në banka ka rreth 2 mijë e 700 euro.

Pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsion e ka deklaruar edhe drejtori i Drejtorisë së Administratës, Gëzim Namani. Namani ka thënë se ka shtëpi në pronë të prindërve prej 125 mijë euro, shtëpi të përbashkët prej 30 mijë euro dhe tokë në vlerë 50 mijë euro. Namani vozitë veturë ‘Golf 6’ 10 mijë eurosh, ndërsa ka deklaruar se ka edhe traktor IMT 539 prej 5 mijë e 500 euro.

This image has an empty alt attribute; its file name is 64552315_2356790614609442_2828652868301488128_n.png

Pasuri të mangët kanë deklaruar drejtori i arsimit, Agim Blakçori dhe drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Donika Sfishta. Kurse, pasuria e drejtorit të Shëndetësisë Zaim Thaçi nuk figuron në AKK./Llapi.info