Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka thënë se asnjëherë nuk do të ndalojë së kërkuari drejtësi për gjithë viktimat në Kosovë.

Këtë deklaratë ajo e dha pas reagimeve ku thuhet se Gërvalla ka thënë se do të dërgojë materiale në Speciale sapo të formohet kjo gjykatë.

Në një postim në ‘Facebook”, ajo tha se heshtja nuk e nderon askënd, teksa tha se vetëm me guxim dhe me punë, Kosovës mund t’i kthehet faqja e bardhë.

“Asnjeherë nuk do të pushoj së kërkuari drejtësi për të gjitha viktimat në Kosovë, pa marrë parasysh përkatësinë politike, gjininë, kombësinë apo funksionin e viktimave dhe autorëve të krimit.

Kjo është më e pakta që mund të bëjmë jo vetëm për viktimat, por edhe për gjeneratat që vijnë. Heshtja qyqare nuk e nderon asnjërin prej nesh”, ka shkruar ajo.

Postimi i plotë:

Dje, sot por edhe nesër!

Asnjeherë nuk do të pushoj së kërkuari drejtësi për të gjitha viktimat në Kosovë, pa marrë parasysh përkatësinë politike, gjininë, kombësinë apo funksionin e viktimave dhe autorëve të krimit.

Kjo është më e pakta që mund të bëjmë jo vetëm për viktimat, por edhe për gjeneratat që vijnë. Heshtja qyqare nuk e nderon asnjërin prej nesh.

Kuvendi i Republikës së Kosovës e ka thënë qartë fjalën e tij. Si ministre e qeverisë së zgjedhur me votën më të fuqishme qytetare i përulem çdo vendimi të Kuvendit.

Sot po dëgjoj si po bërtasin fort pikërisht ata që me heshtjen dhe me veprat e tyre e sollën Kosovën në këtë gjendje të turpshme. Vetëm me guxim dhe shumë punë do të mund t‘ia kthejmë Kosovës faqen e bardhë, jo me heshtje dhe mashtrim.

Shumë punë na presin, vërtet.