Djali i Lionel Messit, Mateo, për disa momente e tradhtoi babanë e vet, gjatë fitores me rezultat 5:2 të Barcelonës kundër Real Betisit në “Camp Nou”, të dielën.

Pasi Nabil Fekiri e kaloi në epërsi Real Betisin në “Camp Nou”, trevjeçari Mateo u kap nga kamerat televizive duke i ngritur krahët e tij lart për ta festuar këtë gol, transmeton Gazeta Express.

Por, Mateos – i cili ishte duke e shikuar këtë ndeshje me babanë e tij dhe sulmuesin e Barcelonës, Luis Suarezin, nga tribunat – shumë shpejt ia kujtuan se ai duhet ta mbështesë Barcelonën.

Në video shihet se Suarezi e paralajmëron, duke bërë shaka, Mateon për veprimet e tij dhe e qartëson situatën para se të gjithë të pranishmit në atë zonë të fillojnë të qeshin.

Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që Mateo i ka festuar golat e ekipeve kundërshtare të Barcelonës, pasi që Messit në të kaluarën kishte bërë të ditur se Mateos i pëlqen të tallet me babanë e vet.

“Mateos i pëlqejnë të gjitha fanellat dhe ai i vesh ato, por herën e kaluar kur luajtëm PlayStation, ai tha: “Unë po bëhem Liverpooli që të mposht ty. Unë jam Liverpooli e ti je Barcelona”.

“Ai kupton pak, por nuk e kupton situatën plotësisht. Për shembull kur shkuam në Valencia, ai më tha: “Valencia fitoi, ehhh”. Ose kur shikojnë televizion, ai i feston golat e Real Madridit”.

Messi dhe Suarezi munguan në këtë ndeshje për gjigantin spanjoll pasi që të dy janë të lënduar.

Por, në mungesë të tyre, dyshja e shikoi nga tribuna të transferuarin këtë verë, Antoine Griezmannin, duke shkëlqyer në këtë ndeshje, pasi i shënoi dy golat e tij të parë për klubin në fitoren 5:2 kundër Real Betisit