Të dielën ka përfunduar kampionati i 24-t botëror i karatesë. Në ngjarjen e mbajtur në Madrid të Spanjës, Kosova mbeti pa medalje, por prapë rreth ekipit të Kosovës kishte zhvillime të natyrës politike.

Shteti spanjoll nuk lejoi flamurin e Kosovës në sallën ku u zhvilluan garat e botërorit, ndërsa karateistët kosovarë në vend të shkurtesës “KOS”, në shpinë kishin shkurtesën WKF, përkatësisht inicialet e Federatës Botërore të Karatesë. Edhe në faqen zyrtare Kosova u prezantua me shkurtesën “WKF5”, shkruan sot “Koha Ditore”.

Kështu edhe njëherë karateistët kosovarë ishin të diskriminuar, përkatësisht nuk u trajtuan në mënyrë të barabartë me të tjerët.

Nuk ka pasur ndonjë reagim publik nga Federata e Karatesë së Kosovës për trajtimin jo të barabartë të sportistëve të saj në kryeqendrën e Spanjës, ndërsa reagimet kanë munguar edhe nga Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.