Ditë më parë është finalizuar administrata e re komunale në Podujevë, ku tashmë i gjithë personeli është bartur në objektin e ri, njofton Llapi.info.

Mirëpo, edhe pse ka zgjatur tejmase funksionalizimi i këtij objekti, tashmë kanë dalë ankesa dhe reagime të shumta. Kësaj radhe ka reaguar edhe rrjeti i OJQ-ve “Demokracia Fillon Këtu”.

Sipas komunikatës së lëshuar nga ky rrjet, bëhet e ditur se salla e Kuvendit s’i plotëson kushtet për punë. Sipas DFK-së, kjo sallë është e vogël, ndërsa, siç citohet në reagim, me këtë është përjashtuar publiku nga pjesëmarrja nëpër mbledhje të Kuvendeve.  

“Shoqëria Civile në Podujevë ka pritur me shpresë se, lëshimi në përdorim i objektit të ri të Komunës së Podujevës do të përmbush edhe nevojat dhe kërkesat e qytetarëve, për të marrë shërbime më të mira dhe me të lehta për qytetarët. Ne si shoqëri civile, jemi të zhgënjyer dhe shprehim shqetësimin tonë për shumë mangësi të shfaqura në objektin e ri të komunës dhe sidomos reagimi ynë ka të bëjë me, Sallën e Kuvendit Komunal ku mbahen mbledhjet e kuvendit e cila është shumë ë vogël dhe nuk plotëson nevojat e publikut për të marrë pjesë aktive çka cenon drejtpërsëdrejti transparencën karshi qytetarëve”, thuhet në reagim.

“Rrjeti Demokracia Fillon Këtu-DFK konsideron se, Mohimi i të drejtës së qytetarëve për të marrë pjesë në seancat e kuvendit komunal është e padrejtë dhe jo ligjore Salla e punës së Kuvendit që shfrytëzohet për mbledhje, është aq e vogël sa nuk parasheh mundësi që publiku të marrë pjesë, pasi që janë vetëm shtatë ulëse më shumë se numri i asamblistëve. Duke mos krijuar mundësinë fizike për të marr pjesë ne seanca, është përjashtuar publiku prej pjesëmarrjes që është e padrejtë dhe jo ligjore”. Edhe pse, rregullative ligjore obligon dhe mundëson forma tjera të përcjelljes së seancave nga publiku. Pjesëmarrja fizike e qytetarëve në seanca është e drejtë që nuk mund të zëvendësohet”, thuhet tutje.

Me këtë rast, shoqëritë civile që veprojnë në Podujevë i kanë bërë thirrje Kuvendit Komunal që të ndërmerren sa më shpejtë veprime që t’i krijohet një vend publikut.

“Ne si shoqëri civile i bëjmë thirrje Kuvendit Komunal në Podujevë që, sa më shpejt të ndërmarr veprime e nevojshme për të krijuar hapësirë për pjesëmarrje të publikut në seancat e Kuvendit Komunal. Ne propozojmë që të shfrytëzohet salla e vjetër e kuvendit derisa të krijohet hapësira për publikun në sallën e re të kuvendit”, përfundon komunikata.

Kujtojmë, Llapi.info ka raportuar edhe gjatë ditës së djeshme në lidhje me funksionalizimin e këtij objekti me shtatë vjet vonesë, teksa ankesa ka edhe nga vetë punëtorët e kësaj administrate për mungesë hapësirash./Llapi.info