Në Gjykatën e Gjakovës është mbajtur shqyrtimi gjyqësor, në rastin e të akuzuarit Leotrim Bajrami, i akuzuar për dy vepra të grabitjes.
Leotrim Bajrami bashkë me të miturin Q.N. po dyshohet të kenë kryer veprën penale të grabitjes, të ndodhur në Janar të këtij viti.

Gjyqtari Nikollë Komani kishte bërë tashmë të ditur se për të miturin Q.N., është zhvilluar procedura penale e ndarë tek gjyqtarja për të mitur, e cila procedurë ka përfunduar.

Në seancën e sotme mbrojtësi i të akuzuarit avokati Ndrec Dodaj, në fjalën e tij përfundimtare kërkoj nga gjykata që të merr aktvendim lirues për të mbrojturin e tij Leotrim Bajrami si dhe të njëjtit t`i ndërpritet masa e arrestit shtëpiak.

Ndërsa prokurori Ali Uka hoqi dorë nga pika dy e aktakuzës, me arsyetim se nuk është arritur që të vërtetohet fajësia e të pandehurit Leotrim Bajrami.

“Qëndrojë pranë pretendimeve sa i përket pikës një të aktakuzës, konsideroj se në tërësi është vërtetuar fajësia e të pandehurit Leotrim, se në veprimet e tij qëndrojnë të gjitha elementet e veprës penale të grabitjes”, tha prokurori Uka.

Sipas Prokurorisë, dy të rinj kishin udhëtuar me taksi nga Prishtina në Gjakovë dhe kur kishin arritur nuk i kishin paguar shërbimet taksistit Shefqet Gashi dhe nën kërcënimin e armës (armë e rreme) i kishin marrë 25 euro. Më pas kishin hipur në taksinë e Fadil Toplanës, duke ia marrë edhe atij 30 euro pa e paguar fare për shërbimet e kryera.

I dëmtuari Fadil Toplana, sot para gjykatës nuk kërkoj që t`i bashkëngjitet ndjekjes penale dhe as t`i kompensohet dëmi.

“Kemi të bëjmë me një aktakuzë të pa qartë dhe të pa përcaktuar. Kemi të bëjmë me një vepër penale të kryer në vazhdim dhe kemi të bëjmë me një bashkim real të veprës penale të llojit homogjen, ku i mbrojturi im gjatë gjithë kohës ka pasur rolin pasiv gjë që është vërtetuar edhe nga dëshmitë e të dëmtuarve”, tha avokati Ndrec Dodaj në fjalën e tij përfundimtare.

Sipas aktakuzës në janar të këtij viti, të pandehurit Leotrim Bajrami dhe i mituri Q.N. kanë kryer veprën penale të grabitjes, ashtu që nën kërcënimin e armës i janë drejtuar të dëmtuarit Fadil Toplana duke ja kërkuar paratë, mirëpo i kanë marrë një çantë me dokumente dhe para të gatshme.

Aktakuza e Prokurorisë shpjegon se në ditën kritike, taksistit i cili i ka sjellë nga Prishtinë në Gjakovë, e kishin kërcënuar me revole që t`u jepte para, ku i dëmtuari Shefqet iu kishte dhënë 25 euro, ndërsa dy të pandehurit kishin dalë nga automjeti duke mos e bërë pagesën dhe duke ja grabitur edhe paratë e të dëmtuarit.

Me këto veprime dyshohet të kenë kryer veprën penale të grabitjes.

Shpallja e aktgjykimit pritet të bëhet të hënën me datë 10 Shtator.