13 mostra të dyshuara për virusin korona janë testuar të mërkurën në Podujevë, 3 prej tyre kanë rezultuar pozitivë, raporton Llapi.info.

Të gjitha këto raste janë të reja dhe të njëjtat s’i përkasin familjeve të infektuara më parë në këtë rajon. Një rast është në rrugën “Hakif Zejnullahu” në qytet, një në fshatin Revuçë dhe një në fshatin Sfeçël. Kështu ka thënë për Llapi.info epidemiologia e QKMF-së në Podujevë, Bedrie Rama.

“Mbrëmë kemi marrë konfirmimin edhe për tri raste të reja me COVID-19 në Podujevë. Nga kjo komunë kanë qenë gjithsej 13 testime. Rastet janë krejt të reja dhe nuk përkojnë me rastet apo familjet e infektuara më parë  në këtë rajon. Njëri është nga fshati Revuçë, njëri është nga fshati Sfeçël dhe një qytet. Nga këto rastet e reja njëri është i ardhur nga Anglia. Tani i kemi 26 raste aktive, pasi janë shëruar edhe katër pacientë. Ndërkaq, pesë pacientë i kemi në Klinikën Infektive me gjendje mesatare. Po ashtu, sot 10 persona janë testuar dhe mostrat janë dërguar për verifikim në IKSHPK”, ka thënë Rama.

Deri më tani në Podujevë janë konfirmuar 62 raste me COVID-19, derisa rasti i parë ishte paraqitur më 15 mars.

Kosova ka regjistruar të mërkurën edhe 214 raste të reja me virusin korona, pas 413 testimeve të bëra nga IKSHPK-ja. Për herë të parë që nga fillimi i pandemisë në Kosovë janë regjistruar në një ditë më shumë se 200 raste të reja me COVID-19.

Të mërkurën janë shëruar edhe 60 pacientë, duke çuar në total numrin e të shëruarve në 2.063.

Që nga shpërthimi i pandemisë në mes të marsit, në Kosovë janë konfirmuar gjithsej 4.100 raste me koronavirus. Prej tyre, 1,951 mbeten raste aktive./Llapi.info