Të enjten, në kohën e pauzës, nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, ka qenë cak i një sulmi në rrugën “Zahir Pajaziti” nga ish-drejtori i Qendrës për Punë Sociale, Osman Jashari, raporton Llapi.info

Sipas dëshmitarëve, Osmani është nisur ta sulmojë fizikisht Rudarin, por që në mes tyre kanë ndërhyrë zyrtarë tjerë komunalë. E krejt ky incident ka ndodhur rreth orës 12:00.

Image may contain: 1 person, plant, flower and indoor

Në lidhje me këtë rast, Llapi.info ka provuar të kontaktojë me ish-drejtorin e Qendrës për Punë Sociale në Podujevë, Osman Jashari, por kontakti me të ka qenë i pamundur gjatë ditës.

Në anën tjetër, nënkryetari i Komunës Nexhmi Rudari, e ka pranuar se zëri ndaj tij ishte ngritur, por që sipas tij nuk ka pasur kontakt fizik pasi në mes tyre kanë ndërhyrë zyrtarë tjerë komunalë, ndërsa sulm verbal ka pasur.

Për Llapi.info, Rudari ka thënë se nuk e di arsyen se përse Osmani është sulur në drejtim të tij. Thotë se ka pasur kontakt verbal.

“Atë që e kam thënë për media, nuk pasur kontakt fizik. Por nuk e di arsyen dhe çka ka pasur ndërmend me bë ai, dhe nuk e di as sot. Nuk ka kërkuar favore nga unë, kontaktoni edhe me atë [Osmanin]. Nuk e di çka i ka pikur në mendje atij. S’kam çfarë të shtojë nga rasti se s’di për çka e ka pas fjalën ai. Po unë e kam ruajt gjakftohtësinë dhe vetëm e kam shikuar se e ndiej veten të pastër”, ka thënë Rudari

Më tej ai ka shtuar se përderisa nuk e ka ditur për çfarë ka qenë i gjithë incidenti, për këtë edhe nuk e ka hapur rastin në Polici.

“Ai ka fillua me ngrit zërin, jo veç kolegët po edhe ata që kanë qenë kanë hy në mes, po çka e ka pas ai ndërmend me bë nuk e di. Edhe nuk e kam pas asnjë të keqe më herët që me u nënkuptuar si mundësi për sulm. Por, derisa ai nuk mu ka afruar dhe nuk e kam pa veten të rrezikuar nuk e kam pa të arsyeshme me njoftu Policinë”, ka shtuar ai.

E për gjithë këtë, dëshmitarët kanë rrëfyer se e gjitha ka ndodhur për pak momente. Burime të Llapi.info bëjnë të ditura se mos-punësimi i një të afërmi të Osman Jasharit ka ardhur deri te tentim-sulmi fizik, por që është ndaluar.

Ndërsa, edhe në Policinë e Podujevës e kanë konfirmuar për Llapi.info se një person i kishte njoftuar për një incident ndërmjet zyrtarëve.

Kështu ka thënë për Llapi.info zëdhënësja për informim në këtë stacion, Antigona Çitaku-Dibrani.

“Në Stacionin e Policisë në Podujevë është ardhur një informatë anonime për një zënkë në rrugën “Zahir Pajaziti”, Policia ka dalë por të njëjtit s’kanë parë askënd në vend ngjarje”, ka thënë Çitaku-Dibrani./Llapi.info