Sot në orën 13:00 ishte paraparë që të vendoset gurthemeli i një palestre sportive në zonën kadastrale në Podujevë, raporton Llapi.info

Mirëpo, vendosja e këtij gurthemeli nuk u lejua nga shfrytëzuesi i objekteve të ish-ndërmarrjes “Fapol”. Drejtori i kompanisë “JAHA”, Jahir Hoxha në një prononcim për medie tha se nuk mund të lejojmë vendosjen e një gurthemeli të tillë pa një njoftim zyrtarë të AKP- së.

“Ne këtë kompani e kemi në kontratë qe dy vite me Agjensionin Kosovar të Privatizimit dhe e shfrytëzojmë këtë pronë në mënyrë të ligjshme zhvillojmë aktivitet këtu me një kompani gjermane qe një vit e sipër. Ne nuk kemi kontest me komunën as me AKP- në por komuna ka ardhë sot me inspektoriat për me hy brenda me e qit një gurthemel për një palestër sportive. Ne nuk jemi të njoftuar prej Agjensionit të Privatizimit që komuna mundet me hy edhe me e bë këtë veprim. Ne e njoftuam Agtjensionin e Privatizimit për veprimet që i ka bërë komuna dhe pas shkresës që u bë prej AKP- së, komuna u largua dhe nuk e ditëm pse nuk e qitën gurthemelin. Ne kërkojmë një shkresë prej AKP- së që mundet mu leju ky veprim i komunës. Në momentin që AKP-ja lejon ndërtimin, nga ne nuk ka problem. Ne jemi qiraxhinj dhe ne nuk kemi problem por ne e kemi obligimin ndaj asaj kontrate dhe nuk mund të lejojmë që dikush me qit gurthemel pa njoftimin e AKP- së” tha Hoxha.

Kurse, në një përgjigje elektronike, Zyrtari për Informim në Komunën e Podujevës, Nazmi Elezi tha se sot është dashur të fillojnë punimet e atij objekti dhe se komuna ka kryer të gjitha procedurat e prokurimit si dhe ka zgjedhur kompaninë fituese për ndërtimin e atij objekti, mirëpo puna është penguar nga shfrytëzuesi i objekteve të ish ndërmarrjes “Fapol”.

“Kuvendi i Komunës së Podujevës në mbledhjen e mbajtur më 29 prill 2016 ka marrë vendim unanimisht për caktimin e lokacionit për ndërtimin e objektit të palestrës sportive në Podujevë. Është caktuar edhe lokacioni në ngastrën me nr. 1541-2, vendi i quajtur fidanishte, sipërfaqja 20 mijë metra katrorë, zona kadastrale Podujevë. Në bazë të këtij vendimi kryetari i Komunës së Podujevës ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me ministrin e atëhershëm të Kulturës, Rinës dhe Sportit për ndërtimin e palestrës sportive në një vlerë prej 2.5 milionë eurove, ku është papara ndërtimi i palestrës sportive dhe disa objekteve përcjellëse përreth-fushave të hapura. Dhe në bazë të kësaj marrëveshje, Komuna e Podujevës ka zhvillua të gjitha procedurat e prokurimit, ka zgjedh kompaninë fituese dhe sot është dashtë të fillojë ndërtimi i atij objekti. Mirëpo, shfrytëzuesi i objekteve të ish-ndërmarrjes Fapol e cila ndërmarrje i ka objektet në atë parcelë, të cilës i janë dhënë në shfrytëzim ato objekte ka penguar hyrjen e kompanisë dhe fillimin e punimeve të palestrës, sepse ajo kompani në mënyrë të paligjshme ka uzurpuar edhe atë parcelë-pronën komunale, kështu që sot kemi qenë të penguar në ndërtimin e palestrës” thuhet në përgjigje.

Tutje në përgjigje thuhet se Komuna brenda një kohe të shkurtër do të fillojë ndërtimin e palestrës dhe se komuna do iu drejtohet organeve të sigurisë dhe Policisë së Kosovës në rast se pengohet vendosja e këtij gurthemeli.

“Kjo kompani i është drejtuar Gjykatës Themelore të Prishtinës-Dega në Podujevë me një kërkesë për masë të përkohshme të sigurisë në qershor të vitit 2016 Gjykata e ka refuzuar këtë kërkesë. Në ë njëjtën kohë edhe Gjykata e Apelit në Prishtinë në muajin shtator 2016 e ka hedhur poshtë edhe nuk e ka lejuar masë të përkohshme të sigurisë, sepse e njëjta kompani ka marrë në shfrytëzim vetëm objektet, por jo edhe parcelën. Kështu që Komuna e Podujevës brenda një kohe të shkurt do të fillojmë ndërtimin, sepse ne do t’u drejtohemi organeve të sigurisë-pra policisë së Kosovës që të na e lirojë pronën dhe të fillojë ndërtimi i palestrës” përfundon përgjigja e komunës./Llapi.info