Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur që të miratojë propozim-rezolutën e propozuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës për faljen e gjobave të bizneseve që u shqiptuan gjatë pandemisë.

Pro kësaj rezolute, kanë votuar për 22 deputetë, 43 votuan kundër dhe nuk kishte ndonjë abstenim.

Kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së paraprakisht e prezantoi rezolutën e cila kishte vetëm një pikë.

“Të suspendohen të gjitha gjobat deri sa Kuvendi të trajtoj në mënyrë të detajuar dhe të nxjerr një ligj i cili i trajton të gjitha kategoritë që janë subjekt i gjobave nga fillimi e deri në mbyllje të pandemisë”, tha Tahiri.

Pas përfundimit të kësaj pike, përfundoi seanca pasi Kuvendi nuk pati kuorum që të trajtojë propozim-vendimet për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit nr. 08-V-006, dt. 02.04.2021 për formimin e komisioneve parlamentare.

Sipas nënkryetares së Kuvendit, Saranda Bogujevci kjo pikë mbetet të trajtohet gjatë seancës së ardhshme.