Tashmë ka përfunduar numërimi i votave për Komunën e Podujevës në zgjedhjet nacionale të 6 Tetorit, njofton Llapi.info.

Në komunën e udhëhequr nga nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, LDK ka arritur ta mposhtë Vetëvendosjen e Albin Kurtit me vetëm rreth 1 mijë vota më shumë.

LDK deri më tani ka marrë 14721 vota, derisa, Vetëvendosje mori 13110. E treta ndërkaq, radhitet PDK-ja me 7023 vota.

Ashtu si në nivel vendi, edhe në Podujevë koalicioni AAK-PSD ka dështuar në masë të madhe. Sipas KQZ-së, ky koalicion në këtë qytet ka marrë vetëm 1751 vota, apo 4.59%.

Krahasuar vetëm me zgjedhjet e vitit 2017, vetëm kandidati tanimë i PSD-së, Dardan Molliqaj sa ishte pjesë e VV-së, në Llap pati marrë hiç më pak se 2200 vota.

Ndryshe, KQZ ka bërë të ditur se janë numëruar 100 për qind të votave të rregullta nga zgjedhjet e 6 tetorit.

Vetëvendosje prin me 25.49 për qind të votave apo 203 mijë e 052 vota. LDK-ja është e dyta me 24.82 për qind të votave apo 197 mijë e 702 vota. PDK-ja është e treta me 21.24 për qind apo 169 mijë e 211 vota. Koalicioni AAK-PSD është subjekti i katërt me 11.57 për qind apo 92 mijë e 149 vota. Nisma-AKR-PD është në “teh” të pragut zgjedhor prej 5 për qind. Ajo deri tash ka 39 mijë e 495 vota apo 4.96 për qind./Llapi.info