Deputeti shtyp këmbësorin, Aqif Rakipi dorëzohet në polici

Deputeti i qarkut të Elbasanit për PDIU, Aqif Rakipi është përfshirë në një aksident të rëndë, me pasojë vdekjen e një 53-vjeçari.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 04.40 të mëngjesit të së shtunës përgjatë autostradës Vorë-Tiranë, në afërsi të mbikalimit të Rinasit.

Viktima në momentin e aksidentit ka tentuar të kalojë menjëherë në rrugën kur është përplasur për vdekje nga autovetura që drejtohej nga Rakipi.Nga pamja e mjetit duket se përplasja ka qënë e fortë. Pas aksidentit, deputeti Rakipi ka ikur nga vendngjarja për tu dorëzuar 10 minuta më pas në komisariatin e policisë nr. 2 në Tiranë.

Nga të dhënat e para hetimore si dhe nga deklarimet e dëshmitarëve okularë, rezulton se viktima sapo kishte zbritur nga një furgon bashkë me dy persona të tjerë.

Në tentativë për të shkuar në anën tjetër të rrugës,   ai kaloi para furgonit kishte ndaluar, kur u përplas nga benzi që drejtohej nga Rakipi.

Burime pranë grupit hetimor janë shprehur për Top Channel se deputeti Rakipi nuk rezultoi të kishte konsumuar pije alkoolike, ndërsa dyshohet se mund të kishte një shpejtësi tej normave të lejuara të atë segment rrugor.

Ndërkohë mbikalimi i këmbësorëve ndodhej vetëm 200 metra larg vendit të aksidentit. Gjithësesi grupi i hetimit i përbërë nga dy prokurorë, tre ekspertë autoteknikë ende nuk kanë arritur në një konkluzion në lidhje me këtë ngjarje. Deputeti i PDIU-së po vijon të mbahet në mjediset e komisariatit nr. 2 në kryeqytet./Top Channel/