Anëtari i Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Haziri, në një intervistë për Front Online ka kritikuar Qeverinë “Hoti” lidhur me menaxhimin e pandemisë më Covid-19. Ai ka thënë se kjo Qeveri duhet të dorëhiqet në mënyrë që t’i hapet rrugë një Qeverie tjetër.

“Prej momentit që kanë ardhur në pushtet është ditur që këta as nuk kanë fuqi, as legjitimitet dhe as nuk kanë kapacitet për ta udhëhequr Kosovën në këto vështirësi në të cilat po kalon. Moti është dashur që kjo Qeveri të shkoj, ne jemi të gatshëm tash edhe po vërehet menaxhimi me pandeminë që ka dalë prej kontrolles dhe u ka humbur rruga në oborr dhe nuk dinë kah t’ia mbajnë”, ka thënë Haziri për Front Online.

Ai thotë se ky është momenti i duhur që kjo qeverisje e gabuar të përfundojë.

“Është momenti i duhur që kjo Qeveri që sa më shpejt të shkoj dhe të vjen një qeveri e cila është Qeveri e shpëtimit për qytetarët dhe Kosovën”, ka thënë ai për Front Online.

Anëtari i Komisionit për Shëndetësi: Projektligji për Pandeminë u zvarrit nga pozita

Projektligji për Pandeminë është iniciuar nga VV-ja me përkrahjen e Kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani.

E për zvarritjen e këtij Projketligji, deputeti i VV-së, Fitim Haziri thotë se fajet i ka pozita.

“Qysh në fillim ne edhe si Lëvizje Vetëvendosje në Kuvend kemi iniciuar bashkërisht me Kryetaren e Kuvendit, Ligjin për luftimin e Pandemisë, duke ditur aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese i cili erdhi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese i cili erdhi rreth masave të cilat u ndërmorën. Nuk ka qenë vullneti te partia tash në pozitë dhe të partitë e tjera që janë në bashkëqeverisje me ta që të kalojnë këtë ligj”, ka thënë deputeti Haziri.

Ai shprehet se ky ligj duhet të plotësohet në mënyrë që të shtohen amendamente shtesë për çka janë të gatshëm të kontribuojnë.

“Ne jemi iniciues të këtij ligji bashkërisht me Kryetaren e Kuvendit, e kaluam edhe në Komisionin e Shëndetësisë, tash pritet të kaloj në Kuvend në lexim të parë dhe prap të kthehet në Komision dhe ka mundësi të bëhet amandamentimi i këtij ligji, të plotësohet me ato të cilat e shohim që janë më të mira e pandemisë me Covid-19”, është shprehur ai për Front Online.

Deputeti i VV-së: Armend Zemaj i ka hapur rrugë ngritjes së çmimeve jashtë normave në barnatore

Ai ka kritikuar ashpër vendimin e ministrit, Armend Zemaj, për anulimin e udhëzimit administrativ për unifikimit të çmimit të barnave duke thënë se ky vendim i hap rrugë ngritjes së çmimit të barnave jashtë normës.

“Nëse shohim punën e z. Zemaj nuk shohim që ka marrë ndonjë vendim i cili ka qenë në dobi të qytetarëve i njëjti vendim ka qenë edhe me udhëzimin administrativ që bënë unifikimin e çmimeve të barnave. Kjo do të jetë kosto për qytetarët, por gjithashtu për shtetin e Kosovës, ku personat të cilët në të kaluarën kanë ngritur çmimet jashtë norme do u hapet mundësia ta përsërisin një gjë të tillë edhe tani, ky ministër para se të merr këtë vendim është dashur ta ofroj një zgjidhje më të mirë”, ka thënë Haziri për Front Online.

Haziri është shprehur se si Vetëvendosje do të votonin për Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike nëse merren parasysh propozime e tyre.

“Ne kemi shikuar Pakon për Rimëkëmbje Ekonomike ka shumë parregullsi në atë pako, ne kemi propozuar edhe amendamentin e asaj pako, tash të e shohim nëse vërtet has në mirëkuptim ky propozim i yni ne jemi t’u ndihmojmë qytetarëve, jemi të punojmë për rimëkëmbjen ekonomike dhe varësisht prej vullnetit të Qeverisë ne do të marrim vendim bashkërisht si grup i VV-së”, tha ai për Front Online.

Deputeti i VV-së nga Podujeva kritikon Nexhmi Rudarin për mosmenaxhimin e situatës me Covid-19

Deputet Haziri që vie nga qyteti i Podujevës ka kritikuar punën e ushtruesin e detyrës së kryetarit të kësaj komune, duke thënë se ai po merret me punë që nuk kanë të bëjnë me menaxhimin e pandemisë.

“Situata është si në gjithë Kosovën edhe në komunën e Podujevës vërehet që u ka dalë nga dora, nuk e shohim vullnetin që ushtruesi detyrës së kryetarit të merret me menaxhimin e pandemisë, por zakonisht e shohim nëpër projekte të ndryshme të cilat nuk kanë të bëjnë me pandeminë”, ka thënë Haziri për Front Online.