Ditën e premte është raportuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shkëputur komunikimin me ministrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berishën, shkaku i aktakuzës që është ngritur ndaj tij nga Prokuroria Speciale për dyshimet rreth manipulimeve me listat e veteranëve të UÇK-së, shkruan Gazeta Express.

Lidhur me këtë çështje, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Fatmir Xhelili i cili është edhe anëtar në Komisionin për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, ka thënë se nëse do të ishte në vend të ministrit Berisha do të jepte dorëheqje.

“Me pas qenë unë në pozitën e tij, nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës më  kishin vënë vijë të kuqe, kisha dhënë dorëheqje, nuk e kisha lejuar me qenë pengesë për procesin”, ka thënë ai në një prononcim për Gazetën Express.

I pyetur nëse kjo çështje do të ngrihet edhe në Komisionin për FSK-në, Xhelili ka thënë se është mirë që ministri Berisha të thirret në raportim për të sqaruar se cila është situata.

“Në qoftë se janë prononcuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës në këtë drejtim, atëherë mendoj është mirë me e ngritë edhe në Komision këtë çështje, se paku me e thirr ministrin në një dëgjim se çfarë mendon ai dhe cila është gjendja”, ka shtuar tutje deputeti i PDK-së.

Sipas tij duhet pasur kujdes në raport me qëndrimet që vijnë nga  Shtetet e Bashkuara të Amerikës

“Sidoqoftë gjithherë duhet me qenë të kujdesshëm në raport me ato prononcime që i bëjnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës rreth drejtuesve të dikastereve tona”, është shprehur Xhelili.

Sa i përket zhvillimeve rreth listave të veteranëve dhe ngritjes së aktakuzës për 12 persona, ku është i përfshirë edhe ministri nga radhët e AAK-së, Rrustem Berisha, Xhelili thotë se ka ende dilema rreth asaj se kush është fajtori, megjithatë sipas tij Berisha e di më së miri nëse është fajtor në këtë çështje.

Fatmir Xhelili, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës

“Megjithatë kam dilema rreth asaj që ka ndodhur me veteranët, për atë se kush është përgjegjësi. Ata që kanë bërë dëshmi të rrejshme, apo ata që kanë lejuar që këto dëshmi të rrejshme të pranohen. Sidoqoftë duhet me e shqyrtua vetë ministri pozicionin e vetë, edhe ai më së miri e di se a është fajtor në këtë proces”, ka shtuar tutje.

I pyetur rreth rreth mos shkuarjes së ministrit Rrustem Berisha në SHBA së bashku me delegacionin e ministrisë së tij të cilët po diskutojnë rreth transformimit të FSK-së , deputeti i PDK-së ka thënë se me aq sa ka informacione, delegacionin ishte planifikuar që të udhëhiqte zëvendësministri Burim Ramadani.

‘Së pari unë nuk jam shumë i informuar rreth detajeve për të cilën po pyetni, rreth asaj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendos embargo për takim me ministrin e FSK-së. Sa që jam unë i njoftuar delegacioni paraprakisht ka qenë i planifikuar me shkua në SHBA zëvendësministri, për të harmonizuar modalitetet dhe bashkëveprimet rreth procesit të shndërrimit të FSK-së në Forcë të Armatosur të Kosovës”, ka përfunduar Fatmir Xhelili për Gazetën Express.

Prokuroria Speciale e Kosovës me 12 shtator të këtij viti ka ngritur aktakuzë ndaj 12 personave për lëndën e njohur në opinion si “VETERANËT” në për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtarë”. Përveç ministrit Rrustem Berisha, në listën e të akuzuarve ndodhet edhe ish-ministri Agim Çeku, dhe deputeti i AAK-së, Shkumbin Demalijaj.

Pas ngritjes së aktakuzës, në publik kanë dalë edhe listat me emrat e atyre që dyshohet se kanë përfituar statusin e veteranit në mënyrë të jashtëligjshme.

Gjithçka që ka krijuar debat dhe habi, ka qenë edhe prania në këto lista edhe e emrave të atyre që kanë qenë vërtetë në luftë.

Pas gjithë këtyre zhvillimeve, Gjykata Themelore e Prishtinës, ka vendosur që me datë 10 tetor të këtij viti, të kthejë aktakuzën mbrapa në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, siç kanë thënë ata për precizim.

“Është vendosur që aktakuza t’i kthehet në precizim dhe qartësim Prokurorisë Speciale të Kosovës pasi që nuk është përpiluar konform nenit 241 paragrafi 1 pika 1.4 e Kodit të Procedurës Penale të Kosovës”, thuhej në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 68.153.533.14 euro.