Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Rexhepi, ani pse thotë se nuk e ka parë ofertën e fundit nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje, shprehet i hapur që ajo të pranohet nga ana e partisë së tij.

Në një bisedë për Gazeta Blic, Rexhepi thotë se nëse Vetëvendosje, i garanton LDK-së, që do e votojnë postin e presidentit kur të vije koha, atëherë duhet të ketë koalicion mes këtyre dy partive politike.

Ai shton se pushtet i balancuar do të ishte nëqoftëse do të arrijnë që ta formojnë një ekip të qeverisë në mënyrë të barabart dhe posti i presidentit t’i takojë LDK-së.

Por, sa i përket kthimit të postit të kryetarit të Kuvendit, deputeti Rexhepi shprehet se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë, dhe se LDK duhet të pajtohet që ky post tashmë i takon Lëvizjes Vetëvendosje.

“Për të qenë i sinqert me juve, për shkak të disa obligimeve familjare, ende nuk e kam parë ofertën e Vetëvendosjes. Mirëpo, unë i mbetem besnik asaj që e kam thënë vazhdimisht, që votimet e 6 tetorit, duhet të kthehen në qeverisje mes dy partive që kanë dalur fituese. Atë ofertë do ta diskutojmë në Këshill të Përgjithshëm dhe nëse është në të mirën e partneritetit dhe në të mirën e Lidhjes Demokratike, unë do ta votoj”, ka thënë Rexhepi për Gazeta Blic.

Ish-ministri i Punëve të Brendshme, thekson që zgjidhja ideale për t’u arritur koalicioni, është ndarja e barabartë e pushtetit, teksa thotë se nëse Vetëvendosje, jep garancë se do ta votojë presidentin e propozuar nga LDK, atëherë koalicioni duhet të ndodhë.

Shton se kryetari i Kuvendit dhe posti i kryeministrit, tashmë janë të padiskutueshëm dhe të pakthyeshëm.

“Nëse marrim garancë nga ana e Vetëvendosjes, se do ta votojë presidentin që do ta nominonim ne, atëherë koalicioni duhët të ndodhë. Posti i kryetarit të Kuvendit dhe ai i kryeministrit, tashmë janë të pakthyeshëm. E rëndësishme është që të gjindet formula për një partneritet të mirë dhe të qëndrueshëm, që qytetarëve t’u përkthehet kjo me një qeverisje të mirë”, ka thënë ndër të tjera, deputeti, Fatmir Rexhepi.

Por, oferta e fundit që i është shkuar mbrëmë në ‘derë’ LDK-së, nuk po i pëlqen nënkryetarit të parë të saj, Agim Veliu.

Ai gjatë ditës ka thënë se oferta e Kurtit, do të shqyrtohet në organet e Lidhjes Demokratike, por ka shtuar se atij nuk i duket serioze.

“Unë po flas personalisht nuk është diçka serioze. Jemi duke e shqyrtuar megjithatë nuk ka diçka të re. Nuk ka diçka serioze aty që mund të na nxjerrë prej situatës.Duhet me shqyrtua me organet e LDK-së edhe besoj se do të bisedojmë për parime të marrëveshjes, nuk e di çfarë kemi të shqyrtojmë në këtë ofertë”, ka thënë Veliu.