Deputeti i zgjedhur nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Rexhepi, ka dhënë detaje rreth arritjes së marrëveshjes për koalicion qeverisës midis partisë të cilës i takon dhe Lëvizjes Vetëvendosje, duke paralajmëruar  se nga dita e hënë mund të ketë zhvillime të reja për tu arritur marrëveshja brenda javës që po vjen, pavarësisht formulës që do të përdorej nga këto parti për marrëveshje.

Rexhepi ka thënë se e rëndësishme është që të dy palët të merren vesh, duke paralajmëruar këtë jave në mënyrë dhe javën tjetër të mbahej Kuvendi.

“Këto formula rreth marrëveshjes nuk i di dhe nuk mundem të jap vlerësim për to por ajo që mund të them është se dy palët kanë hapësira për ta zgjidh këtë problem dhe për të mos e vonuar më tej. Ma e mira që duhet të bëhej është që nesër ditë e hënë në orën 12 të mbahej një konferencë dhe të thonin u morëm vesh. Formula me të cilën do të merreshin vesh nuk ka rëndësi, e rëndësishme është që të merren vesh të dy palët. Unë besoj që ma e rëndësishme asht marrëveshja e plotë dhe do të ishte mirë që të bëhej nesër, nëse kanë mundësi, ose me e paralajmërua këtë javë, dhe javën e tjetër të mbahej Kuvendi dhe kjo do të ishte më e mira për Kosovën. Ne do të pranojmë çdo marrëveshje për të cilën do të dakordohen të dy grupet tona punuese” ka thënë Rexhepi për gazetën Blic.

Kujtojmë se kreu i LDK’së, Isa Mustafa të martën që lëmë pas i ka dhënë ultimatum partisë së Kurtit, duke thënë se LDK mbetet tek oferta e fundit që i ka dërguar Vetëvendosjes për qeverisje të balancuar dhe me përgjegjësi të barabarta dhe deri në fund të javës të deklarohen se a janë për koalicion me LDK’në apo jo.

Ndërkaq, më 4 shkurt është afati i fundit ligjor kur duhet të finalizohet koalicioni qeverisës.