Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, ka shqyrtuar kërkesat e profesionistëve shëndetësorë për nivelizim të pagave.

Anëtarët e këtij komisioni kanë thënë se i përkrahin kërkesat e tyre për rritje të pagave në sektorin e shëndetësisë, ngase numër i madh i mjekëve po e lëshojnë vendin në mungesë të kushteve.

Kryetarja e komisionit, Besa Baftiu, deklaroi se sot ka qenë dita e fundit kur duhet të dorëzohen amendamentet për projektligjin për paga.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, tha se mjekët duhet të përkrahen.

“Dje kemi dorëzuar një amendament për projektligjin për paga, ku përfshihen të gjitha kërkesat e profesionistëve shëndetësorë. Ne duhet ta ruajmë pagën dinjitoze për mjekët, sepse po e shohim çdo ditë se mjekët po ikin jashtë vendit”, tha Haxhiu.

Edhe Haxhi Avdyli, nga LDK-ja, tha se do ta përkrahë amendamentin e propozuar nga Bekim Haxhiu për ngritjen e pagave të profesionistëve shëndetësorë.