Depresioni i adoleshencës së Kosovës

Shkruan: Mero Baze

Shtatë vjet pas shpalljes së Pavarësisë dhe 16 vjet pas çlirimit të saj, Kosova po përjeton depresionin më të madh social të saj, i cili po tentohet që të paraqitet si shenja e parë e dështimit të shtetit të Kosovës. Kriza e tejzgjatur politike dhe zgjidhja artificiale, gati mekanike e saj, bëri që ndryshimi të mos ngjallte asnjë optimizëm dhe mungesa e shpresës të shumëfishohej si epidemi.

Në këtë rast u gjendën menjëherë të gatshëm trafikantët shqiptarë, serb dhe ata hungarezë, që provokuan një valë të pazakontë eksodi drejt perëndimit, e cila e ekspozoi këtë depresion në mediat ndërkombëtare. Por, a është e dështuar Kosova 7 vjet pas shpalljes së pavarësisë? Absolutisht jo.

Një shtet nuk ndërtohet në shtatë vjet dhe depresioni ekonomik dhe social ka përfshirë dhe shtete shumë më të konsoliduara, bile dhe superfuqi. Kosova ka përballuar këto 7 vite disa nga ushtrimet më të vështira shtet­formuese. Ajo ka mundur të mbajë zgjedhje përgjithësisht të mira, me përjashtime të atyre të vititi 2012 dhe ka zgjidhur me durim kriza të rënda si ajo e vitit 2014. Pushteti gjyqësor dhe ai politik kanë funksionuar dhe njohja ndërkombëtare ka ecur ngadalë, por është shtrirë në shtetet më të rëndësishme të botës. Kosova ka guxuar të hyjë në bisedime me Serbinë për të zgjidhur problemet e ndarjes mes dy shteteve dhe ka arritur të ruajë aleancën me Perëndimin në këtë proces. Ajo ka mundur të krijojë një administratë funksionale dhe prodhoi rutinën e një shteti funksional.

Megjithë problemet që ka, media e lirë në Kosovë është disa hapa para Shqipërisë dhe gazetarët e rinj janë shumë më jokonformistë se të tjerët në rajon. Kosova ka personalitete reale të botës së medias dhe shoqërisë civile dhe një pavarësi të lakmueshme të tyre nga interesat politike. Por, Kosova po përballet me tri gangrena të rënda: korrupsioni, varfëria dhe islami radikal E para është korrupsioni, i cili nëse në vendet e tjera çon në pasurim zyrtarësh, në Kosovë shkon më tej, pasi krijon një diferencë të thellë mes shoqërisë ende të pashtresëzuar në diferenca të thella klasore. Kosova doli nga lufta e barabartë në varfëri dhe tashmë po ndeshet me një pabarazi të madhe sociale falë korrupsionit të politikës, dhe kjo i dëshpëron qytetarët më shumë se sa pabarazia sociale në Francë, Gjermani apo SHBA. Kosova është një vend i vogël, ku të gjithë e njohin njëri­ tjetrin dhe nuk mund ta pranojnë kaq lehtë diferencën në pasuri dhe korrupsionin publik. Kjo sëmundje po kthehet në një armik kombëtar për Kosovën, duke u bërë shkaku i gjithë të këqijave. Dhe, korrupsioni në Koosvë, ashtu si në Shqipëri dhe gjithë rajonin, nuk ndreqet duke kritikuar politikanët, por duke forcuar drejtësinë.

Vetëm drejtësia mund t’i japë fund kësaj gangrene dhe vetëm kur ajo të jetë e pavarur nga politika, mund të shohim frytet e para. Gangrena e dytë e Kosovës është varfëria dhe mungesa e një perspektive ekonomike. Kosova gjendet para një kërkese në rritje për punë nga brezi i ri dhe një oferte në ulje për punësim, nga një ekonomi konsumtaore, pa ndonjë perspektivë zhvillimi dhe prodhimi. Kosova sot nuk është as vend industrial, as bujqësor, as turistik dhe peligrinazh i zyrtarëve ndërkombëtarë. Deri më sot të ardhurat kryesore të Kosovës ishin emigrantët e saj në Perëndim dhe mijëra trupa ndërkombëtare të akredituara në Kosovë. Të dyja këto burime po shteren dhe Kosova po përballet me varfërinë e saj. Kjo është një pikë e fortë kthese dhe reflektimi për të pranuar të vërtetën. Kosova duhet ta pranojë këtë realitet dhe të përballet me të me mençuri.

Është e vërtetë që klasa politike në Kosovë ka plot përgjegjësi për këtë gjendje, por nuk është përgjegjësja e vetme. Kush e përqëndron fajin vetëm tek politika, rrezikon ta zhysë Kosovën nga dëshpërimi në dëshpërim. Nuk kam asnjë respekt për qeverinë Mustafa­ Thaçi, por nuk kam ndonjë shpresë më të madhe tek blloku opozitar, pasi shumica e këtyre problemeve, vijnë nga gjendja reale në Kosovë dhe jo vetëm nga fakti se kush është në qeveri. Qeveria mund të punësojë rreth 100 mijë vetë, por Kosova ka nevojë për shumë herë më tepër vende pune. Për këtë arsye, rritja e depresionit në vend, duke fajësuar pafundësisht politikën, do ta kalojë Kosovën nga depresioni në depresion. Kosova ka nevojë për një realizëm politik, i cili nuk prodhon shpresa të rreme, që prodhojnë pastaj zhgënjime të mëdha. Kosova ka nevojë të përballet me atë çfarë ofron dhe ajo nuk është ndonjë parajsë e premtuar. Ndryshimet politike radikale janë të nevojshme, por jo të bazuara mbi ëndrra populiste, por mbi politika realiste dhe modeste, aq sa mban kurrizi i Kosovës dhe Shqipërisë. Gangrena e tretë e rrezikshme për Kosovën është islami radikal dhe polarizimi i shoqërisë në raport me fenë. Varfëria në Kosovë është bërë shtrat i lulëzimit të disa sekteve radikale islame, që po frymëzojnë të rinj të përfaqësojnë ideologjinë e ISIS.

Kosova nuk e ka mbaruar betejën për t’u bërë shtet dhe nuk duhet të sillet sikur është Britania e Madhe, që nuk e shqetësojnë disa xhihadistë. Kosova është një produkt i angazhimit të Perëndimit për liritë njerëzore, dhe duhet të jetë e qartë dhe e prerë kundër çdo ideologjie totalitare, aq më tepër kundër një islami radikal, i ngjashëm me fashizmin dikur. Për fat të mirë klasa politike në Kosovë në këtë pikë është e qartë dhe Shtatë vjet pas pavarësisë, Kosova nuk është më shteti më optimist i rajonit, dhe as festa e pavarësisë nuk është aq entuziaste.

Por, kjo nuk duhet marrë si shenjë e mërzitjes me pavarësinë, por si kriza e parë e një shteti që po rritet. Kosova ka hyrë në vitin e 16 të lirisë së saj dhe kjo është një farë krize adoleshence që i vjen nga ballafaqimi me këmbët e veta, me mbijetesën si shtet. Përpjekja për ta identifikuar depresionin e Kosovës me politikën e ditës, nuk është zgjidhje. Politika e ditës dhe sidomos kjo qeveri, janë vërtet fajtore, por nuk janë përgjegjësit e vetëm të asaj çfarë po ndodh. Nëse do t’i quajmë ata të vetmit përgjegjës, do zhgënjehemi sërish nesër, kur nuk do të jenë ata. /gazetatema/