Problemet në zgjerimin e rrugës nacionale Prishtinë-Podujevë janë duke vazhduar edhe këtë vit, përkundrazi që të njëjtat kanë filluar para tri vitesh, e që këto punime po vazhdojnë me ritëm të ngadaltë, shkruan Llapi.info

Kjo rrugë e cila lidhet edhe me pikën kufitare në Merdare, është njëra ndër më të frekuentuara në Kosovë. Por për ngecje, akuza të shumta janë hedhur në drejtim të Ministrisë së Infrastrukturës, teksa kjo e fundit ka drejtuar pak gishtin edhe te Komuna e Podujevës.

Se që këto punime janë zhvilluar me ritme të ngadalta, e ka thënë për Llapi.info kohë më parë edhe Rexhep Kadriu, zëvendësministri i Infrastrukturës.

Në këtë rrugë deri më tani kanë përfunduar me asfaltim vetëm pesë llote. Por, probleme ka pasur edhe me shpronësime. Se a janë bërë shpronësimet deri më tani, Llapi.info ka provuar kohë më parë të marrë përgjigje nga Ministria e Infrastrukturës, por nga kjo ministri nuk janë dhënë detaje për këtë dhe çështje tjera sa i përket kësaj magjistraleje.

Por, tash kanë filluar problemet e para me asfaltimin e bërë para një viti. I njëjti ka filluar të gërryet, largohet e më pastaj të shtrohet përsëri. Sipas banorëve të cilët edhe kanë dërguar pamje në Llapi.info, gërryerja ka filluar në një pjesë që lidh Sibocin me fshatin Gllamnik afër shkollës së këtij fshati. Mirëpo, sipas banorëve, me t’u lëshuar për qarkullim kjo rrugë ka pasur dëmtime edhe në fshatin Sekiraçë.

Ndryshe, punimet në këtë rrugë nacionale janë përcjellë vazhdimisht me kritika për zvarritje, teksa edhe është protestuar.

Për këtë kanë reaguar edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës. Islam Pacolli nga AKR-ja ka kërkuar sqarim për mospërfundimin e punimeve në këtë magjistrale, e që njëherësh është edhe më e frekuentuara në Kosovë.

“Kërkoj edhe për rrugën Podujevë- Prishtinë pasi ka filluar në vitin disa vite më parë dhe ende nuk ka përfunduar dhe qytetarët janë të dëmtuar dhe irrituar, andaj kërkoj nga ministri ta jap një përgjigje. Gjithashtu kërkoj që në këtë rrugë të punohet me intensitet më të lartë”, pati thënë Pacolli në një seancë.

Ndërsa, edhe deputeti nga Llapi, Fidan Rekaliu, ka bërë edhe një pyetje parlamentare për të parin e ekzekutivit, Ramush Haradinaj të parin e AAK-së, parti kjo e cila edhe ka në dorë Ministrinë e Infrastrukturës.

Rekaliu ka pyetur kryeministrin e Kosovës se a është në dijeni për neglizhencën dhe dinamikën e punimeve në këtë rrugë.

Duke shtuar për frekuentimin e kësaj rruge nga e cila kalojnë mërgimtarët, punimet po bëhen, siç ka shkruar ai, me dinamikë të ulët, pa cilësi dhe jashtë standardeve.

“Kjo rrugë ka një rëndësi të veçantë edhe për faktin se lidh vendin tonë me pikën kufitare në Merdar, prej nga edhe udhëtojnë shumë bashkatëdhetarë. I nderuar Kryeministër a jeni të informuar për problemet, neglizhencën dhe dinamikën e punimeve në këtë rrugë?”, ka shkruar ndër të tjerash në Facebook Fidan Rekaliu.

Kujtojmë, punimet në këtë rrugë kanë filluar në vitin 2016./Llapi.info