Agron Demi nga Instituti GAP në emisionin DESKU në KTV ka thënë se Qeveria e Kosovës është treguar ndër të paaftat për të reaguar ndaj krizës ekonomike që u shkaktua nga pandemia.

“Buxheti i shtetit u aprovua pak javë më parë para se të merreshin masat e para ndaj pandemisë andaj nuk ishte linja buxhetore në buxhetin e vitit 2020 për me u adresuar sfidat kryesore të ekonomisë”, ka thënë Demi. “Buxheti atëherë kaloi paprobleme për shkak se dy partitë kishin shumicën e mjaftueshme në Kuvend. Me qarjen ndërmjet LDK-së dhe Vetëvendosjes u bë e pamundur që të aprovoheshin pakot ekonomike, qoftë ajo e para me 15 masa, apo ajo e dyta e Qeverisë Hoti e cila u quajt Pakoja e Rimëkëmbjes Ekonomike”.

Ai thotë se të dyja pakot u zvarritën për një kohë shumë të gjatë, dhe kjo ndikoi shumë të bizneset për shkak se pakoja e parë që u quajt emergjente ka qenë për muajt prill dhe maj dhe ka ende tash që ende nuk janë bërë transferet e nevojshme për ata dy muaj.

“Ne jemi gati në fund të muajit tetor dhe ende ka biznese dhe punëtorë që u janë premtuar shtesat prej 170 euro dhe ende nuk i kanë marrë të gjitha. Qeveria e Kosovës ka qenë një ndër më të paaftat apo më të ngadaltat për të reaguar ndaj krizës ekonomike”, ka thënë Demi.

Gjithashtu Demi ka thënë se duhet me e përmendë se në fillim të pandemisë ka qenë një vendimmarrje shumë e shpejtë, ato 15 masa që janë marrë më 30 mars 2020 nuk kanë qenë ideale por kanë qenë të mira për kohën dhe shpejtësinë me të cilën janë marrë.

“Madje edhe raportet e FMN-në edhe data bazës së Yale University e vlerëson Kosovën për shpejtësinë e ndërmarrjes së masave për me i zgjidhë problemet ekonomike të shkaktuara nga pandemia”, ka thënë ai.

Sipas tij përplasjet politike ndikuan që ndryshimet buxhetore të zvarriten, pakoja e re e rimëkëmbjes të zvarritet dhe tash është bërë thuajse shou serik mos aprovimi i ligjit për rimëkëmbje ekonomike.