Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se programi që ka sjellë Qeveria nuk i përngjan aspak një programi implementues, duke shtuar se nuk ka as afate kohore e as kosto buxhetore.

Sipas saj, është më pak program synimesh e më tepër program dëshirash.

“E keni filluar mbrapsht opozitën duke shantazhuar opozitën në orët e vona të natës duke sjellë ligjin për qeverinë. Mënyra sesi Qeveria Kurti ka menaxhuar me pandeminë flet mirë se si kjo qeveri i trajton qytetarët. Shëndetin e qytetarëve e ka lënë tërësisht në mëshirë të donatorëve. Po hyjmë në muajin e 6 dhe vetëm 2.5 për qind e qytetarëve janë vaksinuar. Programi ka shumë kontradikta. Një qeveri që gjobit qytetaret për masat e pandemisë e ndërkohë që në pikun e pandemisë ka organizuar tubime zgjedhore. Një qeveri pa plan pa vizion. Krejt çka do të mbahet mend gjatë kësaj kohe është ndarja e 11 milionëve për veriun e Kosovës. Derisa në program nuk thuhet asnjë fjalë se si do ta shtrijë qeveria ndikimin në pjesën veriore. As një fjalë për veriun”, ka thënë ajo.

Ajo ka shtuar se në program përmendet anëtarësimi në Bashkimi Evropian e NATO po nuk përmendet anëtarësimi në Këshillin e Evropës dhe ka shumë mundësi.

Deliu ka thënë se nuk përmendet askund Marrëveshja e Washingtonit ndonëse nga Vetëvendosje ka pasur deklarata që e kanë kontestuar këtë marrëveshje. Sipas saj, Kurti duhet njëherë e përgjithmonë ta qartësojë pozicionin e tij.