Sekretari i PSD-së, njëherit kandidat i kësaj partie, Dardan Molliqaj, ka folur sërish për debatin që ka zhvilluar me kandidatin e Vetëvendosjes, Haki Abazi, por nuk e ka thënë asnjë fjalë për rrahjen mes tyre.

Molliqaj, ka shkruar në Facebook se gjithandej po konfirmohet fitorja e padiskutueshme e koalicionit AAK-PSD, qysh e ka quajtur ai koalicionit të fitores.

“Me mobilizim në teren, e me paraqitje mediale e debatuese. Ju falendëroj përzemërsisht juve qindra qytetarëve të këtij vendi që më keni shkruajtur e mbështetur prej mbrëmë deri sot. Mosguximi i disave për të marrë pjesë në debate; mungesa e argumenteve dhe fakteve; stërkeqja ideologjike dhe konceptuale; i ka çuar ata në rrugën qorre të vajtimit dhe ankesave”, ka shkruar ai në Facebook.

Molliqaj ka thumbuar sërish Abazin, duke e quajtur mashtrues të vjetër.

“Më vjen keq që këto “prurjet” e reja – që janë mashtrues të vjetër – po pranojnë me kaq lehtësi të bëhen mish për top, në mbrojtje të figurave të vjetra që nuk po guxojnë të dalin në debate. AS NJË DEBAT TË VETËM nuk e fituan. Sepse nuk kanë argumente e nuk kanë as guxim”, ka shkruar ai.