Ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, ka thënë që presidentja Vjosa Osmani e ka shkarkuar pa arsye ligjore nga detyra.

Daka në Rubikon në Klan Kosova, tha që edhe raporti i BE-së ku kritikohet shkarkimi i saj, e potencon se vendimi i presidentes nuk ka qenë i bazuar në ligj.

“Raporti i BE-së në një mënyrë e ka konfirmuar atë çka jo vetëm unë, por dhe të tjerët kanë thënë që presidentja Osmani pa të drejtë dhe pa arsye ligjore më ka shkarkuar nga pozita e kryetares së KQZ-së. Nuk është vetëm ky raport që e ka thënë këtë, kemi edhe disa tjera si ai i ENEMO-s të cilët kanë lëshuar të njëjtin konstatim që vendimi i presidentes nuk ka qenë i bazuar në ligj”.

“Edhe ky raport e konfirmon të njëjtën gjë. Aty citohet edhe Komisioni i Venecias, ku thuhet që organi që e emëron kryetarin e KQZ-së, nuk mund t’i lejohet që me vetëdëshirë ta shkarkojë atë. Jo rastësisht Kushtetuta jonë nuk e ka paraparë shkarkimin, por vetëm emërimin. Në Kushtetutë, është decidivisht ku thuhet se presidenti e emëron kryetarin e KQZ-së jo edhe e drejta që ta shkarkojë”, u shpreh tutje Daka.