Ish-kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka në një konferencë për media pas shkarkimit të saj nga presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se presidentja ka përmbushur kërcënimin dhe premtimin e dhënë për shkarkimin e saj.

Daka e ka quajtur vendim jo kushtetues dhe i pa mbështetur në ligj.

“Ky është vendim jo kushtetues dhe i pa mbështetur në ligj. Arsyetimi i dhënë në shkarkimin tim jo që është i paligjshëm por edhe kontradiktor dhe qesharak. Ky është vendim i porositur”, ka thënë Daka.

Daka ka shtuar se ky vendim ishte i përgatitur më herët, marrë parasysh se menjëherë u emërua kryetari i ri i KQZ-së.

“Ky vendim i bërë publik pasditen e së hënës shihet qartë se ishte përgatitur më herët, këtë e dëshmon edhe fakti i emërimit të kryetarit të ri të KQZ brenda pak minutave. Publikimit të këtij vendimi i ka paraprirë takim ku ajo më kërkoi të jap dorëheqje në mënyrë të vullnetshme dhe në këmbim do të pranoj falënderime publike për punën e deritashme dhe më premtoi vazhdim të bashkëpunimit në të ardhshmen. I kam thënë se e kam përmbushur detyrën time sipas Kushtetutës”, ka thënë Daka.