Në mbledhjen e mbajtur sot, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka shtuar se ky institucion është i gatshëm për mbajtjen e zgjedhjeve në Podujevë, kurdo që ato të shpallen nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi, njofton Llapi.info.

Pikërisht këtë pikë që të futet në rend dite e kërkoi përfaqësuesi i VV-së në KQZ, Sami Kurteshi, sipas të cilit, ka ardhur koha që të flitet për zgjedhjet në këtë komunë.

Mirëpo, në lidhje me këtë, kryetarja e KQZ-së Valdete Daka tha se ky institucion nuk cakton data të zgjedhjeve por presidenca.

“KQZ nuk shpall zgjedhje e as nuk i caktojmë ne ato, dihet e kujt është kjo kompetencë dhe e dimë që ato janë shtyrë për shkak të pandemisë. Ata që janë kompetentë besoj se do ta caktojnë datën e zgjedhje. Ne jemi të gatshëm për zgjedhje kurdo që presidenti cakton datën”, tha Daka në mbledhjen e KQZ-së.

Daka tha se përderisa Organizata Botërore e Shëndetësisë ende e ka të shpallur pandeminë, atëherë nuk mund të kërkojnë rivlerësimin e gjendjes nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë.

Të martën, kryetari i degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë, Bajram Ajeti, e dorëzoi kërkesën dhe propozimin për mbajtjen e zgjedhjeve në këtë komunë me datën 14 qershor. Zgjedhjet në Podujevë ishin paraparë të mbaheshin më 14 mars, por që ishin anuluar për shkak të masave kundër COVID-19. Dekretin e pati nënshkruar Presidenti Thaçi.

Zgjedhjet që i kushtuan shtetit rreth gjysmë milioni euro vijnë pasi ish-kryetari i komunës, Agim Veliu u emërua ministër i Punëve të Brendshme.

Në garë për të parin e Podujevës janë Shpejtim Bulliqi (VV), Nexhmi Rudari (LDK) dhe Naim Fetahu (PDK)./Llapi.info