Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, ka thënë se deklaratat dhe mesazhet që vijnë nga Prishtina tregojnë se atyre nuk u intereson dialogu dhe se, nëse vazhdojnë kështu, Serbia nuk është optimiste për sa i përket vazhdimit të tij.

“Veprimet e tyre të njëanshme tregojnë se Prishtina është faktori kryesor i destabilitetit. Kallëzimi penal ndaj presidentit të Serbisë, Alleksandar Vuçiq, deklarata e Kurtit… këto janë tregues të qartë se atyre s’u intereson dialogu dhe kompromisi”, tha Vuçiqi, raporton agjencia serbe e lajmeve “Beta”.

Sipas tij, “nëse ata vazhdojnë kështu”, Serbia nuk është optimiste për sa i përket vazhdimit të dialogut.

I pyetur nëse pret që edhe ndonjë shtet do të tërheqë njohjen e Kosovës, Daçiqi tha se Serbia do të vazhdojë me politikën e saj dhe se një numër i madh i vendeve po e shohin se vendimi për njohjen e Kosovës ka qenë i parakohshëm.

“Për të futur diçka në votim në OKB, duhet të ketë së paku 97 vota. Ne duhet të sigurohemi që Kosova të mos e ketë këtë”, tha Daçiqi, transmeton Koha.net.

Ai tha se janë pesë shtete që kanë qëndrim të këtillë ndaj Kosovës që nuk dihet se si do të votojnë në Kombet e Bashkuara.

Tha se ka edhe shtete që e kanë njohur Kosovën, por që për këtë nuk kanë vendim të shkruar, sikurse që ka edhe shtete që e kanë njohur, por votojnë kundër Kosovës.