Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, pas vizitës disa ditore në vend, ka bërë të ditur se ka biseduar me kryeministrin Albin Kurti për dialogun me Serbinë, por nuk janë përqëndruar në një çështje specifike.

Përmes një konference për medie në Prishtinë, von Cramon tha se presin që javëve të ardhme të shihet një përafrim i pozicioneve ndërmjet Kurtit e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, shkruan Reporteri.net.

“Natyrisht. Ne kemi folur për dialogun dhe për procedurën e tij se si të merret me dialogun, por nuk jemi fokusuar në çështje specifike. Nuk i kam takuar asnjëherë më parë personalisht dhe shpresoj që në javët e ardhshme do të mund të shohim një ngushtim të pozicioneve, në përafrërim të pozicioneve origjinale dhe kjo mund të bëhet vetëm përmes negociatave. Ne presim nga të dyja palët që t’i ngrisin sa më lart pritjet e tyre.”, ka thënë ajo.

Von Cramon ka folur edhe për procesin e liberalizimit të vizave, duke thënë se Kosova ka përmbushur kushtet teknike, prandaj është çështje e Këshillit të Evropës dhe sipas saj, këtu ka shtete anëtare që hezitojnë.

Ajo ka kritikuar Francën për qëndrimin e saj skeptik për çështjen e liberalizimit të vizave duke thënë se një qëndrim i tillë është për keqardhje dhe “po bën gabim”.

“Mendoj që janë dy çështje të ndryshme. Kosova ka pasur një katalog të qartë të kritereve për të marrë liberalizimin e vizave. Ai katalog është plotësuar, kanë punuar në çështjet e sigurisë, pse të mos i jepet kjo Kosovës? Çështja e dytë është normalizimi. Nuk mund të ktheheni pas 3 viteve dhe t’i lidhim ato. Mendoj që BE-ja nuk i ka bërë detyrat e shtëpisë, mendoj që Kosova i ka përmbush kriteret, e ka bërë punën e tyre dhe mendoj që është koha e BE-së dhe kështu BE-ja po e humb kredibilitetin për këtë arsye e kam kritikuar shumë presidentin Emmanuel Macron. Shpresojmë se në një moment do të shohim qëndrime më pak të polarizuara dhe gjatë presidencës së Gjermanisë kemi mundur ta kemi këtë temë në agjendë derisa Kosova i ka përmbushur kushtet teknike prandaj është çështje e Këshillit të Evropës dhe në këtë pikëpamje disa shtete anëtarë hezitojnë”, ka deklaruar.

Cramon po ashtu iu ka bërë thirrje krerëve institucional që të marrin pjesë në paradën e krenarisë si dhe të lejohet me Kodin Civil martesa e gjinisë së njëjtë.