Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka njoftuar se katër persona të prekur me koronavirus kanë vdekur sot, të cilët kanë pasur edhe sëmundja tjera shoqëruese, raporton Llapi.info.

Njëri nga viktimat është nga Komuna e Podujevës. Bëhet fjalë për një të moshuar nga fshati Llaushë.

Kështu ka bërë të ditur gjatë ditës edhe nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari.

“Me pikëllim mora lajmin për ndarjen nga jeta të bacës Sh.O., nga fshati Llaushë, i cili ishte i diagnostikuar me Covid-19. Ngushëllime familjes dhe miqve! Ekipi i Shtabit Lokal Emergjent, janë në koordinim të plotë me familjen e të ndjerit që gjithçka rreth ceremonisë së varrimit të zhvillohet sipas rregullave të përcaktuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike”, ka shkruar ai.

Siç mëson Llapi.info, viktima është rreth moshës 80-vjeçare, ndërsa i njëjti ishte konfirmuar me virusin korona të shtunën.

IKSHPK gjatë të hënës ka regjistruar 195 raste të reja me koronavirus – njëherësh shifra më e lartë e infektimeve ditore, që prej paraqitjes së rasteve të para me këtë virus, në mars të këtij viti.

“Rastet pozitive janë nga: komuna e Prishtinës 102 raste, komuna e Ferizajt 17 raste, komuna e Fushë Kosovës 11 raste, komuna e Gjakovës 10 raste, komuna e Gjilanit 8 raste, komuna e Prizrenit 7 raste, komuna e Deçanit 6 raste, komuna e Mitrovicës 5 raste, komuna e Drenasit 4 raste, komuna e Skenderajt 4 raste, komuna e Lipjanit 4 raste, komuna e Obiliqit 3 raste, komuna e Rahovecit 3 raste, komuna e Pejës 2 raste, komuna e Vushtrrisë 2 raste, komuna e Shtimes 2 raste dhe me nga 1 rast komunat: Graçanicë, Kaçanik, Kamenicë, Podujevë dhe Suharekë”, thuhet në njoftim.

Gjatë njëzetekatër orëve të fundit, në Kosovë janë regjistruar edhe katër viktima, të cilët kanë pasur edhe sëmundje tjera shoqëruese. Me këto shifra, numri i të vdekurve në Kosovë arrin në 79.

Në njoftimin e IKSHPK-së po ashtu thuhet se 44 pacientë janë shëruar nga sëmundja që shkakton koronavirusi, duke bërë që numri i përgjithshëm i të shëruarve të arrijë në 1,946.

Bazuar në të dhënat e fundit, në Kosovë deri më tani janë regjistruar 3,703 raste pozitive me COVID-19. Prej tyre, 1,678 vazhdojnë të jenë raste aktive./Llapi.info